
Nata e parë e Festivalit të Këngës në RTK nuk është vetëm një garë midis këngëtarëve, por edhe një udhëtim në historinë e muzikës shqiptare në Kosovë.
Gjatë kësaj nate në skenë përmes ekranit gjigant erdhi edhe një përmbledhje e veçantë nga disa edicione të Akordeve të Kosovës, festivali i njohur dhe prestigjioz që nga vitet ’60 deri në fund të viteve ’80.
“Kosova ka një histori të konsiderueshme të muzikës bashkëkohore, por edhe të spektakleve muzikore. Kur kthejmë kokën pas, shohim emra dhe organizime të ndryshme që na kanë bërë këtë që jemi sot. Personalitete si Nexhmije Pagarusha e Muharrem Qena, grupe si Gjurmët dhe Minatori, spektakle televizive të vitit të ri të prodhuara nga Radio Televizioni i Prishtinës dhe shumë festivale muzikore, të gjitha kanë ndikuar në zhvillimin e muzikës sonë”, tha prezantuesja Rina Krasniqi.
Një rëndësi të veçantë në këtë histori e kanë pasur vetë Akordet e Kosovës, një festival garues i organizuar në tri netë sipas zhanreve: muzikë popullore, muzikë zbavitëse dhe muzikë për fëmijë. E pikërisht trofeu kryesor i këtij festivali, Okarina e Artë, këtë vit rikthehet si çmim për arritje jetësore, duke nderuar kontributin e artistëve të shquar.
Gjatë klipit të përmbledhur nga Akordet e Kosovës, u përfshinë artistë, interpretime e intervista të ikonave të muzikës shqiptare, si Jusuf Gervalla, Nexhmije Pagarusha, dhe shumë të tjerë, duke risjellë emocionet e një kohe të paharrueshme.
“Falënderojmë Minire Fetahun, redaktoren shumëvjeçare të muzikës, dhe kompozitoren e mirënjohur Selvete Krasniqi Ismaili, që na ndihmuan ta përpilojmë këtë klip”, theksoi Dukagjin Podrimaj.