Një tjetër moment emocionues i natës së dytë të Festivalit të Këngës ishte rikthimi në skenë i Gilit, një veterane e skenës kosovare, e cila solli një kolazh të dy këngëve të saj më të njohura.

Njëra këngë i kushtohet dashurisë për Prishtinën, ndërsa tjetra, një hit i vjetër që kishte marrë pjesë në festivalin e RTSH-së në vitin 1995 “Xixëllonjë”, e që vazhdon të këndohet dhe të pëlqehet nga publiku edhe sot. Performanca e Gilit u prit me duartrokitje të zjarrta, duke rikthyer atmosferën e magjisë së skenës dhe duke kujtuar rëndësinë e trashëgimisë muzikore kosovare.

Përpara se Gili të ngjitej në skenë performuan garuesit e radhës në zhanre të ndryshme, derisa një vlerësim për këngët e dha edhe kryetari i jurisë, Xhevdet Gashi.

“Vështirë është më të vërtetë, sepse këngët janë të barabara për nga kualiteti. Edhe ata që nuk do të shkojnë në finale, nuk do të thotë se këngët janë më të dobëta. E vështirë me vendos, por meqenëse jemi pesë veta në juri sigurisht se do të vendosim më real”, tha Gashi.

Laorjan Ejlli me jazz baladën “Një natë shkruajta për ty” pushtoi skenën, pastaj Bledi Kaso me “S’do të doja dy jetë”, një këngë me ndikime italiane me temën e lumturisë në dashuri.

Një baladë indie/alternative që synon të prezantojë një tjetër rrymë të muzikës moderne shqiptare e risolli në skenë për herë të dytë Dea Berisha me këngën “Afër”.

Dio Dragaj me “Baladë mbi dashurinë” solli një këngë për gjyshin Musa Ramadani, i cili ishte autor i tekstit.

Art Lokaj me “Ty” ndezi atmosferën me një performancë elektrizuese funk/neo-soul/R’n’B.

Një vajzë me zë impresionues nga Peja, Klea Dina prezantoi këngën “At”, duke demonstruar aftësitë e saj vokale, derisa Kiara Juba erdhi para publikut sërish me këngën “Nirvana”.