Spektakli më i madh muzikor në vend, Festivali i Këngës në RTK, hyri në natën e tij finale me një hapje madhështore nga artisti ndërkombëtar Gjon’s Tears.

Këngëtari shqiptar që përfaqësoi Zvicrën në “Eurovision” ndezi skenën e festivalit të RTK-së me një performancë të fuqishme, duke u përshëndetur me duartrokitje të zjarrta nga publiku.

Performancës së tij i shtoi magjinë edhe trupa e baletit, e cila solli një koreografi tejet tërheqëse dhe emocionuese, duke kompletuar atmosferën spektakolare të natës.

E pas performancës së tij Gjon’s Tears shprehu krenarinë e për prejardhjen e tij dhe përgëzoi RTK-në për organizimin e shkëlqyeshëm.

“Jam shumë krenar që kam përfaqësuar Zvicrën, por edhe origjinën time nga Shqipëria dhe Kosova dhe jam shumë krenar. Kur kam mundësinë, gjithmonë përpiqem të shndris sa më shumë Shqipërinë dhe Kosovën. Jam shumë krenar që jam këtu sonte, sepse RTK ka bërë një punë jashtëzakonisht të bukur. Shikoni skenën, me thanë të drejtën 100 përqind, shumë pak kam parë edhe në Zvicër dhe Francë. Bravo për cilësinë e spektaklit. Faleminderit Florent Boshnjakut për ftesën dhe punën e jashtëzakonshme që keni bërë. Kosova është një shtet që po ndërtohet, ka disa gjëra që nuk bëjnë, por prapë është shtet me shumë shpresë e shumë bukuri. Prandaj talentet e sotme ju lutem sa më shumë duartrokisni, sepse nuk është gjithmonë e kollajshme me dalë me 26-27 vjet që po ndërtohet Kosova, me dalë prej historisë së Kosovës, e cila është e rëndë, prandaj jepni sa më shumë shpresë dhe dashni gjithë konkurrentëve sonte. Kjo është kryesorja”, tha Gjon’s Tears.

Në këtë mbrëmje të veçantë, do të performojnë 10 konkurrentët final të përzgjedhur nga juria profesionale, pas dy netëve të para ku u prezantuan 20 këngë të shkëlqyera. Konkurrentët që do të garojnë për çmimin e madh janë:

Art Lokaj – “Ty”

Elmedinë Ramushi – “A po m’sheh”

Florent Abrashi – “Unë dhe Ti”

Teutë Halili – “Amin”

Kiara Juba – “Nirvana”

Klea Dina – “At”

Laurian Ejlli – “Një natë shkruajta për ty”

Arjeta Palushaj – “Andrra”

Arsi Bako – “Rreze zjarr”

Xuxi – “Identiteti”