Drejtori i Festivalit të Këngës në RTK, Adi Krasta, ka thënë se Kosova ka dëshmuar dy vjet radhazi për përgatitjen profesionale dhe artistike që gëzon, në mënyrë që t’i paraprijë pjesëmarrjes në “Eurovision” ende pa përfunduar çështjet politike ndërkombëtare, që mbajnë pezull përfshirjen e Kosovës në festivalin evropian të këngës.

“RTK ka qenë përcaktuese. Nuk mund të bëj një aktivitet të tillë asnjë televizion në Kosovë dhe në Shqipëri. Në Shqipëri kanë tentuar me ‘Këngën Magjike’, kanë arritur të jetë i dimensioneve të mëdha, por festivalet e radiotelevizionit janë të mëdha vetvetiu se kanë lindur herët për të qenë përfaqësuese të mëdha. RTK është e vetmja strukturë që guxon të bëjë një festival të tillë, është krijuar ideja që të jetë festival i madh për të vendosur një fillim që produkti t’i paraprijë futjes së Kosovës në ‘Eurosong’. Në momentin që Kosova futet në Këshillin e Evropës, vet Kosova futet në ‘Eurosong’. Atëherë do të shkojmë dhe do të themi: ‘Ne kemi bërë dy produkte të dimensioneve të mëdha, ne dijmë dhe po vijmë te ju në mënyrë të barabartë sepse mund të bëjmë atë që themi e bëjmë”, ka thënë ai.

Tutje Krasta ka thënë se nga diskutimet e para dhe përzgjedhja e lokacionit, destinimi ishte që festivali të jetë festë në zemër të kryeqytetit.

“Salla është armiqësore, një hambar i madh. Edhe sallat e ‘Eurovisionit’ janë të mëdha dhe të improvizuara. Skena e kthen në një sallë të specializuar, e kthejnë njerëzit. Njeriu e bën sallën, jo salla njeriun. Këtu ka shumë probleme të karakterit teknik, por këtu është kënaqësia, këtu bëhet kënga”, ka thënë ai.

Ai vlerësoi se ky staf i cili ka punuar fort në dy edicionet, pa pikë dyshimi mund të sjellë edicione të tjera, madje edhe më të mira.

Krasta ka folur edhe për ngatërresën që ndodhi gjatë ndarjes së çmimeve dje në natën finale. Ai përçoi ngarkesën profesionale që mund të ketë një drejtues i festivalit të një niveli të tillë, teksa dha detaje nga ngjarja e djeshme.

Ai është pyetur nëse do të vazhdojë bashkëpunimin për edicionin e tretë të Festivalit të Këngës, teksa ka thënë se vendimi i tij është që ngjarja të vazhdojë pa të.

“Unë vjet mora një vendim për të mos e mbyll punën sepse m’u duk që Festivali i dytë ishte një marrëveshje që bëra me Bordin, menaxhmentin. Bëra mirë që s’u largova vjet. Se do të thoshin erdhi bëri një festival dhe iku. Këtë vit u mora me Festivalin, por edhe projekte të tjera, e njoha RTK-në. Themelimi i një festivali është mision. Mendoj që mund ta bëj aktive dorëheqjen e janarit të shkuar që e kam pasur në tryezën time gjatë gjithë kohës. Do ta konsideroj si mision të mbyllur, por patjetër që do të kem bashkëpunime me RTK-në edhe në të ardhmen, mund të vij për projekte të bukura. Mendoj që e përjetuam ëndrrën që dëshironim dhe ëndrrat kanë edhe një fund të bukur”, ka thënë Krasta.