Sejat Jakupi ka rikthyer nostalgjinë te shumë breza në natën finale të festivalit “Akordet e Kosovës”, duke nisur interpretimin me disa nga këngët e tij më të njohura: “Ndoshta një ditë”, “Vetëm për Ty”, “Më merr, më ndihmo” dhe “Ta gjen mami një sheik” që i kishte interpretuar me grupin e tij të njohur nga Shkupi “Telex”.

Këngët e tij, të njohura për publikun ndër vite, sollën në skenën e festivalit kujtime nga repertori muzikor që ka shoqëruar disa breza.

Në bisedën me prezantuesit Agron Krasniqi dhe Flaka Latifi, Jakupi foli edhe për rrugëtimin e tij muzikor. Ai tregoi se prej vitesh jeton në Gjermani dhe se është pensionuar para dy vjetësh, por vazhdon të merret me muzikë dhe herë pas here të performojë para publikut shqiptar.

Jakupi kujtoi edhe pjesëmarrjen e tij të mëhershme në “Akordet e Kosovës”, kur ishte paraqitur me një këngë të kompozuar nga Nexhat Macula, të cilën e kishte interpretuar së bashku me Vera Oruçajn. Ai tregoi se pjesëmarrja në festival ishte e lidhur edhe me miqësinë e tij me Nexhatin.