
Festivali i Këngës “Akordet e Kosovës” nis sonte me edicionin e katërt që sjell interpretime të reja, artistë nga Kosova dhe Shqipëria, si dhe emra që jetojnë e veprojnë në diasporë. Festivali fillon në orën 21:00 dhe transmetohet drejtpërdrejt në RTK, ndërsa paraprakisht mysafirët do të kalojnë në tapetin e kuq.
Në skenën e festivalit do të prezantohen këngë të zhanreve të ndryshme, të interpretuara nga artistë të rinj dhe këngëtarë me përvojë.
Edicioni i katërt i festivalit do të shtrihet gjatë tri netëve të ardhshme, në palestrën “1 Tetori” në Prishtinë, me një program që ndërthur muzikën moderne, trashëgiminë muzikore dhe talentet e reja.
Pjesëmarrës të Festivalit të Këngës janë këta artistë: Algert Sala x Jet me këngën “Gati tu”, Arbër Krasniqi me “Vjeshtë”, Besmir Shishko me “Përjetësisht”, Dea Pasha me “Sërish” dhe Hawolf me “Ti si unë”, Herva Novaku, me këngën “Voilà”, Miranda Lipovica me “Pranvera”, Niki Selmanaj me “E lirë”, Rei Bezhani dhe Martina Serreqi me “2011”, Rinea Vitija me këngën “Histori”, Sajana Kodheli me “E lirë”, Shpend Lleshi, i njohur si General Gramophone, me këngën “Vala”, Troja Bicurri, me “Mali dhe Hana”, Urim Salihu me këngën “I njëjti”, Verona Kastrati, me “Flakë”, Shkëlzen Rexhaj, me emrin artistik Khuba, me këngën “Larg”, Sidorela Kelmendi Gashi me “Vetëm kam mbetur”, Olimpia Smajlaj, me “Amanet”, Fatbardha Nikçi me “Hajde mor’ i bukur” dhe Art Lokaj me “Pa ngjyra”.
Drejtori artistik, Florent Boshnjaku, ka theksuar se emërtimi “Akordet e Kosovës” synon të nderojë historinë e festivalit dhe kontributin e kompozitorëve e artistëve ndër vite.
Ndërkohë, risi e këtij edicioni është mbrëmja e festivalit për fëmijë, që vjen në natën e tretë, e cila u jep hapësirë talenteve të reja të interpretojnë drejtpërdrejt në një skenë madhështore, të shoqëruar nga orkestra.
Festivali do të prezantohet nga moderatori i RTK-së, Agron Krasniqi dhe aktorja Flaka Latifi, ndërsa Adea Pula do të prezantojë mbrëmjen e fëmijëve.