
Një udhëtim emocional në kohë është shënuar në natën finale të Festivalit të Këngës në RTK, “Akordet e Kosovës”, me rikthimin e këngëtares Denisa Begolli në skenën ku ishte paraqitur për herë të fundit në vitin 1989.
Pas 38 vjetësh, Begolli u rikthye në festivalin që shënoi një pjesë të rëndësishme të rrugëtimit të saj muzikor, për të interpretuar sërish këngën “Dëshirat”, me të cilën ishte prezantuar në edicionin e fundit të festivalit para ndërprerjes së tij.
Në bisedën me prezantuesit Agron Krasniqi dhe Flaka Latifi, këngëtarja kujtoi fillimet e saj në muzikë, pasionin për krijimtarinë dhe bashkëpunimin me grupin muzikor “Selekcioni 039”, përmes Ilir Bajrit dhe Ardianit.
Ajo tregoi se kishte nisur të shkruante këngë që në fëmijëri, duke i realizuar vetë në pjesën më të madhe edhe tekstet, edhe kompozimet.
Duke kujtuar periudhën e viteve ’80, Begolli tha se ajo gjeneratë kishte qenë përpara kohës së vet, por mbi të gjitha ishte e motivuar nga dashuria për muzikën dhe dëshira për të krijuar.
“Ne shumë e kemi dashur muzikën dhe kemi qenë entuziastë të mëdhenj. Qëllimi kryesor ka qenë që ne ta shfaqim atë kreativitetin tonë, të bëjmë muzikë, të krijojmë këngë të cilat kanë mundur të dëgjohen”, tha ajo.
Begolli kujtoi se në atë kohë sfida kryesore ishte sigurimi i një termini në radio për incizimin e këngëve, ndërsa krijimtaria bëhej pa ndonjë interes të veçantë material.
Një prej këngëve që e ka shënuar karrierën e saj është “Dëshirat”, e njohur edhe për vargun “Dëshira, dëshira, miliona dëshira”, e cila vazhdon të kujtohet nga publiku edhe pas disa dekadash.
Gjatë këtyre viteve, Denisa Begolli është shpërngulur në Kroaci, ku jeton edhe sot. Ajo tregoi se ka vazhduar të merret me muzikë, por e ka orientuar më shumë angazhimin e saj drejt familjes. Ndërkohë, ka pasur edhe paraqitje në festivale në Shqipëri.
Duke folur për emocionet e rikthimit, këngëtarja tha se pas 38 vjetësh ndiente shumë emocione për t’u ngjitur sërish në një skenë të tillë në Kosovë.
Para performancës, ajo falënderoi drejtorin artistik të festivalit, Florent Boshnjaku, për aranzhimin e këngës së bashku me Ilir Bajrin, si dhe orkestrën për punën e realizuar.
Rikthimi i Denisa Begollit ishte një nga momentet më nostalgjike të natës finale, duke sjellë në skenën e “Akordeve të Kosovës” jo vetëm një këngë të njohur, por edhe kujtimin e një periudhe të rëndësishme të muzikës shqiptare.