
Nata e parë e Festivalit të Këngës solli edhe një moment të veçantë për të nderuar kujtimin e artistes së njohur Violeta Rexhepagiqi. Në skenën e madhe të festivalit, Rina Krasniqi dhe orkestra interpretuan një improvizim muzikor, duke krijuar një atmosferë emocionuese dhe të veçantë për publikun në sallë dhe shikuesit përpara ekranit.
“Wow, ok, po e shoh tash që nuk është punë e lehtë me dalë me këndu në këtë skenë! Kjo performancë ishte për ta nderuar kujtimin e Violeta Rexhepagiqit dhe shpresoj se ky kujtim do të jetojë shumë gjatë!”, tha Rina pas interpretimit.
Para këtij momenti të veçantë, në skenë u ngjitën katër garuesit e radhës.
Këngën e njëmbëdhjetë konkuruese e prezantoi Klea Dina nga Peja, për të cilën nuk është hera e parë që merr pjesë në festival. Me tekst dhe muzikë nga Ana dhe dirigjim orkestre nga Memli Kelmendi, kënga “At” ishte një reflektim i brendshëm mbi boshllëkun që mbetet pas dashurisë. Interpretimi i Klea Dinës solli ndjenja të thella dhe një atmosferë intime në skenë.
Më pas, skena u mbush me energji nga Florent Abrashi, me një rock-baladë të fuqishme të titulluar “Unë dhe ti”. Teksti dhe muzika janë nga vetë Florent Abrashi, ndërsa orkestrën e dirigjoi Alfred Kaçinari. Me prejardhje nga Gjakova dhe eksperiencë si multi-instrumentist dhe vokalist profesional, performanca e tij solli një emocion të fortë.
Kënga e trembëdhjetë konkuruese ishte “Afër”, e kënduar nga Dea Berisha, një këngëtare e lindur në Amsterdam. Me tekst nga Lis Boshtrakaj dhe Besart Zhuja dhe muzikë nga Lis Boshtrakaj, dirigjimi i orkestrës nga Memli Kelmendi krijoi një atmosferë indie dhe alternative, duke i dhënë një nuancë të freskët dhe moderne natës së parë të festivalit.
Konkurruesja e katërmbëdhjetë ishte Zerxhina Hasanaj me këngën “Pres”, një baladë që trajton dashurinë, humbjen, shpresën dhe pritjen. Teksti dhe muzika janë nga Jetmir Mehmedaj, ndërsa dirigjimi i orkestrës ishte nga Memli Kelmendi. Performanca e saj solli një ndjesi reflektimi dhe një përjetim të thellë emocional.