
Pas hapjes madhështore nga Gjon’s Tears, nata finale e Festivalit të Këngës në RTK është rikthyer me garën e konkurruesve.
Moderatorët Rina Krasniqi dhe Dukagjin Pordrimaj i kanë prezantuar garuesit radhazi dhe kanë paralajmëruar një konkurrencë të fortë në këtë natë finale dhe një punë të vështirë për jurinë e festivalit.
Kënga e parë konkurruese që u paraqit sonte ishte “Unë dhe ti” nga Florent Abrashi, me tekst dhe muzikë nga vet ai, derisa orkestrën e dirigjoi Alfred Kaçinari.
Kënga “Andrra” nga Arjeta Palushaj, me tekst dhe muzikë të Eriona Rushitit dhe dirigjim orkestre nga Memli Kelmendi ishte e radhës që dhuroi emocione tek publiku.
E përplot elegancë në skenë ishte edhe Klea Dina me këngën “At”, me tekst dhe muzikë nga Ana, derisa dirigjent orkestre ishte Memli Kelmendi, njjë këngë mjaft spirituale, e kënduar nga një vokal i fuqishëm.
Rreze zjarr nga Arsi Bako, me tekst dhe muzikë nga Gjergj Kaçinari dhe dirigjim orkestre nga Alfred Kaçinari solli një interpretim plot pasion dhe energji.
E pjesën e parë të performancës së finalistëve e përmbylli kënga “Ty” nga Art Lokaj, me tekst dhe muzikë nga vetë ai dhe dirigjim orkestre Alfred Kaçinari.