Një ditë pas natës finale të edicionit të dytë të Festivalit të Këngës, Radiotelevizioni i Kosovës po sjellë dimensione tjera të organizimit dhe të prapaskenave në edicionin special “Post Festival”.

Producentja ekzekutive, Arta Avdiu ka folur për sfidat të cilat e kanë shoqëruar dhe tashmë ëndrrën e realizuar. Ajo ka thënë se punonjësit e RTK-së e kanë pritur moti një projekt të tillë.
“E kemi pasur më të lehtë kur filluam edicionin e dytë sepse vendin e kishim, hapësira ishte aty, sado që dy koleget e mrekullueshme, Rudina Xhaferri e Shqipe Kamberi nuk e kanë pasur shumë të lehtë sepse të shndërrohet skenografia nga e para në të dytën s’është e lehtë”, ka thënë ajo.
Avdiu ka vënë në pah edhe lëshimet teknike, e që sipas saj, sado që është punuar maksimalisht nga i tërë stafi që gjithçka të shkojë si duhet, ka pasur disa të tilla, por që nuk ia kanë zbehur shkëlqimin festivalit. Ajo ka thënë se në transmetime të tilla të drejtpërdrejta gjërat e tilla ndodhin po thuajse kudo, teksa sipas saj synimi është që nga edicioni në edicion gjërat të shkojnë duke u përmirësuar.
Flora Durmishi, skenaristja e Festivalit, ka thënë se çështja e formulimit të skenarit ka kërkuar mund mujor. Ka potencuar se kanë qenë një ekip i tërë që ka diskutuar çdo ditë për një produkt sa më të mirë para publikut.
“Mundësi e jashtëzakonshme të dalësh me një orkestër të tillë dhe skenë kaq të madhe, nuk e di se si nuk po shfrytëzohet më shumë. Këngët ishin ato që ishin”, ka thënë ajo.

Avdiu dhe Durmishi kanë theksuar gjithashtu rolin e veçantë të drejtorit të festivalit, Adi Krasta, si çelës të suksesit të këtij edicioni. Sipas tyre, përvoja dhe lidershipi i Krastës krijuan frymë bashkëpunimi dhe profesionalizmi, duke bërë që secili që ishte pjesë organizative e ‘Fest 2’ të jepte më të mirën e tij.