
Ministrja e Kulturës, Saranda Bogujevci, ka vlerësuar lart paraqitjen e fitueses së çmimit të parë të edicionit të katërt të “Akordeve të Kosovës”, Troja Biciurrit, duke theksuar se talenti i saj shkon përtej interpretimit vokal.
Në intervistën për ‘Red Carpet’ në prag të festivalit të fëmijëve, Bogujevci ka thënë se Troja e ka merituar çmimin e parë, duke veçuar edhe aftësinë e saj për të shkruar tekste dhe kreativitetin artistik.
“Troja e ka merituar, ka qenë e jashtëzakonshme. Është kënaqësi me pa një talent që jo vetëm ka talent në këndim, por është edhe tekstshkruese. Kreativiteti i saj shkon përtej vetëm një zëri të bukur”, ka deklaruar Bogujevci.
Megjithatë, ministrja ka vlerësuar edhe garuesit e tjerë, duke thënë se niveli i konkurrencës ka qenë i lartë dhe se shumë prej tyre kanë merituar të shpërblehen.
Bogujevci e ka mirëpritur veçanërisht organizimin e edicionit të parë të festivalit për fëmijë, duke e cilësuar si një mundësi të rëndësishme që talentet e reja të prezantohen në një skenë të madhe.
“Jam shumë e lumtur që sonte skenën do ta kenë fëmijët. Është ndjesi e veçantë dhe më vjen mirë që është krijuar kjo mundësi që edhe fëmijët ta tregojnë talentin e tyre”, ka thënë ajo, duke falënderuar ekipin e RTK-së dhe të gjithë të përfshirët në organizim.
Duke folur për të ardhmen e festivalit, ministrja ka bërë të ditur se marrëveshja me RTK-në parasheh edhe dy vjet të tjera përkrahje për “Akordet e Kosovës”.
Ajo ka theksuar se sfida kryesore mbetet krijimi i një qëndrueshmërie afatgjatë, në mënyrë që festivali të mos jetë vetëm një rikthim i përkohshëm, por të vazhdojë të jetë pjesë e rëndësishme e jetës kulturore në Kosovë.
“Është tepër me rëndësi që së bashku të krijojmë një qëndrueshmëri për të ardhmen e festivalit. Kjo duhet të jetë prioriteti ynë dhe besoj se edhe do ta arrijmë. ‘Akordet e Kosovës’ kanë një histori shumë të madhe dhe janë pjesë e traditës, kështu që duhet ta ruajmë, ta kultivojmë dhe të sigurojmë qëndrueshmërinë e tij në afatgjatë”, ka deklaruar Bogujevci.