Sonte nis edicioni i tretë i Festivalit të Këngës në RTK, një ngjarje kjo e shumëpritur që do të mbahet për tri net me radhë, duke sjellë muzikë të mirëfilltë, garë dhe atmosferë të pasur kulturore në vendin tonë.

Drejtori i Televizionit në RTK dhe njëherësh drejtor i Festivalit të Këngës, Rilind Gërvalla në prag të nisjes së edicionit të tretë ka vlerësuar punën dhe përkushtimin e madh të gjithë stafit që ka punuar për këtë edicion.

“Jemi në ethe, në ethe të bukura pas gjithë asaj pune që kemi bërë si kolektiv. Natyrisht gjithçka që do të shihni sot është punë e punëtorëve të RTK-së, e dizajnuar, e përgatitur, e programuar me skenar të përbashkët me Genc Salihun dhe drejtorin artistik Florent Boshnjaku. Këto tri net, e sidomos kjo nata e parë do të janë me shumë kulturë e me muzikë të mirëfilltë. I ftojmë të gjithë shikuesit që të jenë pranë ekranit të kanalit të RTK-së nga ora 21:00”, tha Gërvalla në një lidhje direkte nga ambientet ku do të mbahet festivali në Lajmet Qendrore.

Ai bëri të ditur se edicioni i këtij viti ka për qëllim të ndërtojë një lidhje mes muzikës tradicionale dhe asaj moderne.

“Edicioni i tretë është një urëlidhëse mes asaj që kemi bërë dikur, pra tradicionales dhe muzikës moderne. Ne, po përpiqemi që gradualisht në edicionin e katërt t’i rikthejmë Akordet e Kosovës, ku si ombrellë brenda saj do të jenë Festivali i Këngës dhe Festivali i Fëmijëve”, u shpreh ai.

Gërvalla shtoi se organizimi i këtij festivali ka qenë një sfidë, por edhe një përvojë e veçantë për të.

“Ka qenë sfiduese, është hera e parë e imja që merrem me organizime dhe udhëheqje të tilla. Natyrisht dikur në moshën e rinisë kam qenë në skenë dhe kam performuar, por kësaj here është më e vështirë kur gjithçka duhesh të përgatitësh me ekipe të shumta. Por, ka mbizotëruar pozitiviteti dhe disiplina, andaj kjo që do të shihni sot është e gjitha produkt i një pune të shumë kolegëve tanë, mbi 100 sosh, të cilët kanë punuar ditë e natë për të dalë kjo skenë madhështore, që do ta shihni pas pak dhe të gjitha këto përgatitje i kemi bërë që edhe shikuesi pranë ekraneve ta shijojë këtë festival”, nënvizoi Gërvalla.

Sipas tij, një nga qëllimet kryesore të festivalit është promovimi i talenteve të rinj.

“Më shumë se gjysma e konkurruesve, por edhe atyre që kanë aplikuar, sepse kemi pasur mbi 40 konkurrentë dhe nga ta janë përzgjedhur 20, kanë qenë artistë të rinj, të cilët do të performojnë në skenën e madhe për herë të parë. Kjo është shumë e rëndësishme, sepse qëllimi i këtij festivali është t’i gërshetojë të gjitha këto breza. Do të shohim gjëra të reja dhe çmime të reja. Këtë herë RTK do ta kthejë Okarinën e Artë, Pemën e Argjendtë, pra do të vlerësojë kontributin e të gjithë atyre artistëve e muzikantëve që kanë dhënë shumë për kulturën”, përfundoi Gërvalla.

Festivali i Këngës në RTK pritet të sjellë një atmosferë festive për publikun, me performanca të veçanta, surpriza muzikore, mysafirë specialë dhe një skenë madhështore të ndërtuar me përkushtim të madh.

Nata e parë nis sonte në orën 21:00 në RTK1.