Pas interpretimit emocionues të Elton Dedës, skena e madhe e festivalit u mbush sërish me energji dhe ngjyra të ndryshme muzikore nga këngët konkurruese.
“A po m’sheh” nga Elmedinë Ramushi u rikthye në skenë, me ritëm të fuqishëm dhe energji të madhe, e kompozuar dhe shkruar nga vetë këngëtarja. Interpretimi i saj i gjallë dhe vokali i fortë, por edhe orkestra fantastike sollën atmosferë elektrizuese në sallë.

Më pas në skenë u ngjit Arsi Bako me “Rreze zjarr”, një rock super-energjik nga pianisti dhe kompozitori Gjergj Kaçinari. Me një performancë plot zjarr dhe ritëm të shpejtë, Arsi Bako bëri publikun të lëvizë dhe të ndjejë energjinë e rock-ut bashkëkohor, duke treguar se festivali është vend për eksperimentim dhe fuqizim të talentit të ri.

Santino De Bartolo me këngën “Naze Naze”, një këngë unike në gjuhën arbëreshe, dialekti toskë i shqipes i ruajtur ndër breza. Santino solli një performancë të veçantë që lidh traditën me skenën moderne, duke sjellë një tingull të rrallë dhe ekzotik për publikun shqiptar.

Më pas Vlera Kastrati me këngën “Nanë”, një këngë e ndjerë dhe dedikuar nënës së saj, me një interpretim të sinqertë dhe emocional. Vlera Kastrati arriti të prekë zemrat e të gjithëve me vokalin e saj të fuqishëm dhe emocionin që shpalosi në skenë.