Nga Wilson tek Trumpi një shekull i SHBA-së

Nga Wilson tek Trumpi një shekull i SHBA-së

Kur SHBA hoqi dorë nga neutraliteti, fati i Luftës së I Botërore dihej. Presidenti i SHBA Wilson vendosi 100 vjet më parë themelet për sistemin liberal botëror, të drejtuar nga SHBA. Trump po e shkatërron tani këtë.

Në fillim të vitit 1918 presidenti amerikan Woodrow Wilson doli para dy dhomave të Kongresit amerikan dhe prezantoi planin e tij me 14 pika. Tezat e famshme të tij, kishin të bënin me synimet amerikane në Europë dhe Lindjen e Mesme. Por, kishin të bënin kryesisht edhe me riorganizimin e botës së shteteve. E drejta e popujve për vetëvendosje ishte linja drejtuese. Por 14 pikat e Wilsonit shkonin dhe më tej. Presidenti amerikan kërkonte tregti të lirë dhe dhënien fund të diplomacisë së fshehtë, si dhe krijimin e Lidhjes së Kombeve.

Kështu në vija të përgjithshme më 1918 u pa sistemi liberal botëror, i cili u ndërtua pas Luftës së Dytë Botërore nën drejtimin e SHBA. Një sistem botëror, që u vu në jetë sepse gjithnjë e më shumë vende iu bashkuan idesë. Ky sistem duket të jetë tani në rrezik, prej një presidenti amerikan, sërish.

Largim nga kolonat themelore të politikës së jashtme amerikane?

Donald Trump është rast i veçantë. Në njëqind vjetët e fundit asnjë kryetar shteti në SHBA nuk i ka vënë në pikëpyetje bazat themelore të politikës së jashtme amerikane, siç i ka vënë presideti i 45-të i SHBA.

Natyrisht që në SHBA ka pasur gjithnjë forca që kanë përkrahur izolacionin. Edhe presidenti Wilson dështoi në politikën e brendshme me konceptin e tij për një sistem ndërkombëtar paqeje. Por refuzimi i programit të tij 14 pikësh nuk u bë nga Shtëpia e Bardhë, por nga një kongres me frymë izolacioniste. Prandaj Wilson vazhdon të shihet si udhërrëfyesi i internacionalizmit amerikan. Deri në futjen në Luftën e Parë Botërore, Shtetet e Bashkuara ishin munduar t'i qëndronin larg konflikteve ndërkombëtare, sidomos atyre në Europë.

Wilson: politikë e jashtme kooperative

Wilson nxorri nga tmerret e luftës një përfundim, që SHBA do të përpiqej për politikë të jashtme multilaterale dhe të karakterizuar nga bashkëpunimi. Kjo duket qartë edhe në fjalimet e luftës, që ai ka mbajtur më 1917. Atje Wilson, thekson se bota duhet të bëhet vend i sigurt për demokracinë.

Shpesh Wilson citohet gabimisht, sikur ai të ketë thënë se SHBA duhet ta bëjë botën të sigurt për demokracinë. Ky është një ndryshim i qartë dhe me rëndësi. Sepse Wilson nuk besonte se e vetme SHBA do të ishte në gjendje ta arrinte këtë, por që mund të arrihej në bashkëpunim me të tjerët dhe nën udhëheqjen amerikane. Një „Lidhje e Kombeve" duhet të krijonte kuadrin për një politikë kooperative ndërkombëtare. Wilson kërkonte të krijonte një organizatë, në të cilën të veprohej vetëm me aprovimin e të gjithëve, ku praktikisht çdo komb të kishte një të drejtë vetoje. Sa kontroverse ka qenë ideja e Wilsonit e tregon fakti që „Lidhja e Kombeve" pati jetë vetëm tre dekada dhe që SHBA nuk u bë asnjëherë anëtare e saj.

"I vetëm në shtëpi" - DOnald Trump në Asamblenë e Përgjithshme të OKB, 25 shtator 2018

Trump: vendime unilaterale

Nën presidencën e Trumpit, SHBA ka dalë nga shumë pakte të sanksionuara nga Kombet e Bashkuara dhe nga shumë organizata të OKB. Prandaj për shkak të qëndrimit të tij nacionalist, Trump me të drejtë mund të shihet si antipodi i Wilsonit, thotë John Cooper, profesor emeritus në Universitetin e Viskonsit. Ai ka shkruar disa libra për Wilsonin. Për Trumpin ai thotë: "Ai do që të veprojë i vetëm në botë, të tregojë burrin e fortë dhe të marrë vendime unilaterale sipas dëshirës."

Trump dhe Wilson nuk janë pole të kundërta vetëm në rolin ndërkombëtar të SHBA. Edhe në qëndrimin ndaj migracionit, një temë e diskutuar shumë si në atë kohë edhe tani. Wilson kishte qëndrim të qartë kundër armiqësisë ndaj të huajve, që gjatë Luftës së Parë Botërore ishin kryesisht refugjatë lufte nga Europa. Kur Kongresi amerikan nxorri më 1917 një ligj për kufizimin e migracionit, Wilson vendosi veton. Kongresi vendosi me dy të tretat e votave kundër vetos së tij, një shenjë që tregon sa të mëdha kanë qenë në atë kohë rezervat kundër migrantëve.

"Wilson i urrente demagogët"

Paralelet me aktualitetin janë edhe në këtë pikë të dukshme. Me ndryshimin që, me Trumpin si president në post ka ardhur dikush që nuk i lufton armiqësitë ndaj të huajve, përkundrazi i ndezi edhe më shumë që ditën e parë të kandidimit si president. Për më tepër, Trump nuk është verbalisht kundër, por përdor edhe pushtetin që i jep posti kundër emigrantëve pa pasaportë, duke i ndarë familjet dhe dëbuar nga vendi. Përveç kësaj ai kërkon të kufizojë migracionin legal në SHBA dhe të ulë numrin e refugjatëve që pranohen në vend, në një nivel të ulët që nuk ka qenë kurrë më parë.

Është ende herët për të gjykuar si do të përfundojë kursi konfrontues i Trumpit ndaj politikës internacionaliste. Megjithatë dy vjet janë mjaft, sipas Cooper, për të qenë në gjendje që të thotë se çfarë do të thoshte Wilson për pasardhësin e tij në post: "Ai do ta shikonte Trumpin me frikë dhe tmerr." Sepse "Trump kërkon vetëm të trazojë ujërat- dhe Wilson i urrente demagogët." Dhe ky është një ndryshim i dukshëm midis dy presidentëve, që kanë lënë gjurmë në shekullin amerikan midis 1918 dhe 2018./DW