Haradinaj: Ftesa e Speciales ma ka këput konopin

Haradinaj: Ftesa e Speciales ma ka këput konopin

Kryeministri në dorëheqje, Ramush Haradinaj ka theksuar se nuk ka pritur ftesë nga Gjykata Speciale, por siç tha ai ftesa ia ka këput konopin.

Haradinaj në një intervistë për T7, ka theksuar se në ftesën që i është dërguar të premten nga Gjykata Speciale, nuk thuhet asgjë, vetëm se është i ftuar për intervistim si i dyshuar.

Ai ka thënë se nuk e ka shqetësim ftesën për intervistim, pasi siç tha ai ka vepruar sipas kodit shqiptar në luftë dhe kodeve tjera të luftës dhe ftesa ia ka këput konopin. “Unë kam qenë në konop që një vit”.

Në lidhje me mos njoftimin paraprakisht të partnerëve të tij qeveritar, Haradinaj ka deklaruar se njoftimin e ka dhënë në tavolinë te partnerëve të Qeverisë, ku ishin të pranishëm të gjithë partnerët qeveritar. Ai deklaroi se pas dorëheqjes është takuar vetëm me Limajn dhe Pacollin.

Haradinaj deklaroi se është ndjerë keq kur ka dëgjuar deklaratën e Veselit në SHBA “se Haradinaj po sillet me Amerikën si me Serbinë”.

“Kemi pas një thyerje, qysh dihet publikisht në lidhe me taksën. Nuk më ka ardhur mirë kur kam dëgjuar deklaratën e Veselit në SHBA. Me shkuar në Amerikë me i ra kolegut tënd është e rëndë, pasi është e rëndë me bë asi krahasimi. Kur e kam dëgjuar ishte shokuese, e rëndë. T’i thuash kolegut tënd, kryetarit të Qeverisë se ‘me Amerikën po sillesh si me Serbinë’. Nuk besoj që e ka bë me ndonjë qellim të caktuar, por nuk po e mohoj që më ka habit fort”, tha Haradinaj.

Haradinaj ka thënë se AAK do të shkojë vetë në zgjedhje, por janë të hapur për Nismën, PSD-në, AKR-në, por nuk është i interesuar të jenë në koalicion me PDK-në, LDK-në dhe Vetëvendosjen.


MË SHUME NGA Aktuale