Rekordi negativ i Sergio Ramos, askush si kapiteni në historinë e Realit

Rekordi negativ i Sergio Ramos, askush si kapiteni në historinë e Realit

Sergio Ramos është prej vitesh një nga mbrojtësit më të mirë në botë. Kapiteni i Real Madrid ka aftësinë për të shënuar gola dhe… për t’u ndëshkuar me kartonë të kuq.

“Los Blancos” nuk ia dolën të ruanin avantazhin e Isco mbrëmjen e kaluar dhe u përmbysën nga Manchester City në “Santiago Bernabeu”.

Ramos bllokoi Gabriel Jesus të shënonte golin e tretë në minutën e 86-të dhe arbitri kryesor i tregoi kartonin e kuq. 33-vjeçari do të mungojë në ndeshjen e kthimit dhe kualifikimi i skuadrës së Zidane është komplikuar shumë.

Qendërmbrojtësi mori kartonin e 26-të të kuq që kur është pjesë e Real Madrid! Hera e katërt që largohet para kohe në Champions League, duke barazuar emra si Ibrahimovic dhe Davids, teksa është lojtari me më shumë të kuqe në historinë e Realit në kampionat dhe Champions League.

Jo vetëm kaq, pasi Ramos është edhe lojtari me më shumë kartonë të kuq në historinë e kombëtares spanjolle. Një rekord negativ, por detyra e tij kryesore është të japë gjithçka që skuadra e tij të mos pësojë gola, pavarësisht kostos prej 26 ndëshkimeve me të kuqe.