Fadil Miftari dhe Ilir Bytyçi zgjedhen anëtarë të bordit të RTK-së

Fadil Miftari dhe Ilir Bytyçi zgjedhen anëtarë të bordit të RTK-së

Deputetët e Kuvendit të Kosovës në seancën e sotme plenare kanë zgjedhur Ilir Bytyçin dhe Fadil Miftari anëtarë të bordit të RTK-së. Ndërkaq, për gjashtë kandidatë tjerë të cilët nuk morën votat e mjaftueshme, sërish do të votohet nga deputetët për të plotësuar pesë anëtarët e bordit të shumicës shqiptare.

Pas votimit rreth një orësh të deputetëve dhe marrjes së rezultateve, zgjedhjen e këtyre dy anëtarëve e konfirmoi kryesuesja e Kuvendit, Arbërie Nagavci.

“Pas raportimit të komisionit kandidatët Ilir Bytyçi dhe Fadil Miftari, gjegjësisht kandidati Fadil Miftari me 57 vota dhe kandidati Ilir Bytyçi me 47 vota tashmë janë përzgjedhur për anëtarë të Bordit të RTK-së nga radhët e komunitetit shumicë shqiptarë. Ndërkaq do të vazhdohet votimi për tri pozitat e mbetura dhe në votim kësaj radhe marrin pjesë gjashtë kandidatët e renditur të radhës me më shumë vota”, tha ajo.

Kurse, konkursi për kandidatët të pakicave është rikthyer në pikën zero, pasi asnjëri prej katër kandidatëve nuk ka arritur të marrë votat e mjaftueshme.