Kremtohet në Tiranë 100-vjetori i Betejës së Varshavës

Kremtohet në Tiranë 100-vjetori i Betejës së Varshavës

Polakët kremtojnë 100 vjetorin e Betejës së Varshavës të vitit 1920, një nga tetëmbëdhjetë betejat më të rëndësishme në historinë botërore.

Ambasada e Polonisë në Tiranë e kremtoi jubileun e kësaj ngjarje në famullinë e Shën Gjon Pali II në Bathore, në mjediset e së cilës gjenden dy pllaka që i kushtohen marshallit Józef Piłsudski dhe 100-vjetorit të Betejës së Varshavës. Data e Betejës së Varshavës festohet në Poloni si Dita e Forcave të Armatosura.

“Mrekullia e Vistulës është mbiquajtur Beteja e Varshavës, gjatë të cilës ushtria polake, nën komandën e marshallit Juzef Pillsudski, zmbrapsi me sukses nga kryeqyteti polak Ushtrinë e Kuqe në mesin e gushtit 1920. Disfata e ushtrisë ruse siguroi mbrojtjen e  kryeqytetit dhe mbijetesën e Republikës II Polake, e cila sapo e kishte rifituar mëvetësinë në nëntor 1918, pas 123 vjetësh mosekzistencë në hartën e Europës – shpjegon kontekstin e jubileut Ambasadori Bachura.

Ai thekson më tej që Beteja e Varshavës që u zhvillua në periudhën 12-25 gusht 1920, i siguroi kufijtë lindorë të shtetit polak deri më 17 shtator 1939. Diplomati britanik i rangut të lartë, Lordi D’Abernon, e vlerësoi Betejën e Varshavës si një nga betejat më të rëndësishme në historinë e njerëzimit, sepse fitorja e saj ndaloi përhapjen e komunizmit në Evropë – të paktën për disa dekada. Lenini e shihte Poloninë si një urë për të sjellë komunizmin në Evropën Qendrore dhe Perëndimore, dhe lufta dukej mënyrë e përsosur për të provuar forcën e Ushtrisë së Kuqe. Fjalimet e bolshevikut pohonin se revolucioni duhej të zgjerohej në Evropën Perëndimore me bajonetat e soldatëve rusë dhe se rruga më e shkurtër për në Berlin dhe Paris shkonte përmes Varshavës. Moska supozoi se rënia e kryeqytetit polak jo vetëm që do të dëmtonte moralin e polakëve, por do të ndizte një seri ndërkombëtare të revolucioneve komuniste dhe do të pastronte rrugën që Ushtria e Kuqe të bashkohej me revolucionin gjerman. Propaganda bolshevike para Betejës së Varshavës e kishte përshkruar rënien e kryeqytetit të Polonisë si të menjëhershme, dhe humbja e saj e parashikuar duhej të ishte një sinjal për fillimin e revolucioneve komuniste në shkallë të gjerë në Poloni, Gjermani dhe vendet e tjera të Evropës, të shkatërruara ekonomikisht nga Lufta I Botërore. Ndërsa komandanti i atëhershëm sovjetik Tukhachevsky foli për ushtrinë e tij në korrik 1920: “Përmes kufomës polake do të kemi rrugën drejt zjarrit global. Me bajonetat tona do të sjellim paqe dhe lumturi për masat punonjëse. Le të marshojmë drejt Perëndimit! “. Për shkak të fitores polake, megjithatë, planet e një revolucioni të kuq botëror ranë poshtë. Dështimi ishte një pengesë e madhe për Leninin, i cili synonte që revolucioni të kishte një shtrirje globale.

Me kthimin e demokracisë, parlamenti polak, më 30 korrik 1992, miratoi kthimin e 15 gushtit si Ditën e Forcave të Armatosura.

Në ditët e sotme Forcat e Armatosura Polake janë një anëtar i fortë dhe i besueshëm i NATO-s  njëherësh dhe një aleat miqësor i Shqipërisë, nënvizon në vijim ambasadori Karol Bachura. Procesi i vazhdueshëm i modernizimit, pjesëmarrja në misionet e paqes dhe të stabilizimit në pjesë të ndryshme të botës tregon gatishmërinë e kombit tonë për të ndërtuar një ushtri të fortë, të aftë për t’u përballur me sfidat e kohës. Ne besojmë fort se vitet në vijim Polonia dhe Shqipëria do të jenë në gjendje të gjejnë platforma të reja bashkëpunimi, si dhe t’i bëjnë më të forta marrëdhëniet ushtarake mes Varshavës dhe Tiranës- përfundon ambasadori Bachura.

Në ceremoninë e sotme ambasadori Bachura ishte në shoqërinë e zv.ministrit të Mbrojtjes, Koçi, këshilltares së Presidentit të Republikës, Vogli, kancelarit të Arqipeshkvisë Don Henri dhe famullitari në Bathore, atë Michon./atsh/