Bekë Berisha i jep këshilla Agim Veliut, kërkon që ta shkarkojë drejtorin

Bekë Berisha i jep këshilla Agim Veliut, kërkon që ta shkarkojë drejtorin

Deputeti i AAK-së, Bekë Berisha ka pasur disa këshilla për Ministrin e Punëve të Brendshme, Agim Veliu në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës.

Sipas Berishës, në krye të Policisë së Kosovës në vazhdimësi ka pasur persona që kanë qenë të “shitur”.

 “Herë vjen në krye një i shitur, kur ndërron ai vjen një i shitur tjetër. Policia ka dështuar me menaxhimin e situatës me COVID 19. Ka policë që nuk janë ngritur kurrë në detyrë, që sot e asaj dite ruajnë rampa, patrullojnë tërë natën e për të cilët nuk ka folur kurrë askush”, ka thënë Berisha, duke kërkuar që policisë të ju plotësohen disa kushte.

“Pagesa e shujtave, ndërrimit të natës e pagesa me rregull të orëve shtesë sipas ligjit, janë kërkesa që duhet të realizohen urgjentisht”, ka thënë ai.

Berisha ia ka dhënë disa këshilla ministrit Veliu, në mesin e tyre edhe propozimin për shkarkimin e drejtorit të Policisë, Rashit Qalaj.

“Ministër Veliu nuk mbahet mend që Qeveria ka vendosur Ministër me kredibilitet që të udhëheq me këtë ministri, të krijojë kushte për policinë. Ministrat e Punëve të Brendshme janë zgjedhur zakonisht njerëz të urtë. Unë ty do të jap nja dy tri këshilla, MPB është e tejet ngarkuar me përgjegjësi, ministria duhet të ndahet që menaxhimi duhet të ndahet, nëse ekziston ndonjë taskforcë kundër korrupsion kryeministri duhet ta shkarkojë deri më tani, kam informacione që diçka e tillë ka funksionuar për 10 vite. Të shkarkohet menjëherë drejtori i Policisë sepse në mënyrë të përsëritshme shkelin sovranitetin e Kosovës e drejtori as nuk është në dijeni”, ka thënë ai.

“Nëse nuk dini çka me bo, mundet me u emëru një polic i ri që s’ka hiç grada, që nuk e dëgjon askënd nga politika. Në qeverinë paraprake ka pas vjedhje të informacioneve nga objektet qeveritare, kam informacione për qindra skandale që duhet të hetohen”, shtoi deputeti i AAK’së.