Në vitin 2017 Simmons kërkoi të raportojë në Kuvend për krimet në EULEX

Në vitin 2017 Simmons kërkoi të raportojë në Kuvend për krimet në EULEX

Çështja e ish kryetarit të Asamblesë së gjyqtarëve të EULEX-it, Malcolm Simmons, këto ditë është shumë aktuale pas kërkesës së tij që të raportojë në Kuvendin e Kosovës për shkeljet që ai pretendon se janë bërë nga gjyqtarë dhe prokurorë të EULEX-it gjatë proceseve gjyqësore.

Mirëpo, detaje të reja janë publikuar sonte në emisionin “Udhëve” të RTK-së lidhur me këtë gjyqtar britanik. Në vitin 2017 ky emision raportoi se Simmons ishte i gatshëm të raportonte aso kohe, mirëpo politika kosovare duket se ishte duke u marrë me tema tjera të “mëdha” dhe po e vazhdonte gjumin.

Ndërkaq, sot, Simmons i ka kthyer përgjigje Komisionit për Legjislacion të Kuvendit të Kosovës lidhur me datat se kur mund të raportojë para këtij komisioni lidhur me pretendimet e tij për shkelje të rënda në misionin e EULEX-it.

Në përgjigjen e tij që e ka siguruar eksluzivisht RTK-ja, Simmons thekson se para komisionit mund të paraqitet gjatë këtij muaji ose gjatë fillimit të vitit 2021 përmes platformës Zoom për shkak të situatës së krijuar nga Covid 19.

Tash i mbetet Komisionit për Legjislacion që të vendos një datë kur Simmons do të shpalos të gjitha të gjeturat e tij gjatë kohës sa ishte në krye të Asamblesë së gjyqtarëve të EULEX-it.

Po ashtu Simmons ka premtuar se do të jetë i pranishëm edhe fizikisht për të dhënë dëshmi nëse Kuvendi i Kosovës do të themelojë Komision Hetimor, duke shpresuar se ndërkohë edhe situata me Covid-19 do të pësojë ndryshime për të mirë.

RTK ka raportuar që nga viti 2017 për pretendimet e Simmonsit për keqpërdorime brenda misionit të  EULEX-it. /RTKLive/

Ndiqeni të plotë emisionin “Udhëve” i publikuar në vitin 2017: