Promovohet monografia “Hani i 2 Robertëve”, kërkohet të kthehet në muze

Promovohet monografia “Hani i 2 Robertëve”, kërkohet të kthehet në muze

Në promovimin e monografisë: Hani i 2 Robertëve 1989-2019, Arti i Rezistencës – Rezistenca e Artit, është kërkuar që ky vend të kthehet në muze.

Ish-ministri dhe njëherësh profesori në Universitetin e Prishtinës, Blerim Reka , tha se Hani ishte strehë urbane kulturore.

“Tha se kur flasim për Hanin mund të flasim më pak për hanin si objekt. Hani më së paku ishte gastronomi por më tepër filozofi ku lobohej e debatohej. Se në Han nuk zhvillohej vetëm kultura por ishte strehë urbane kulturore. Ishim shumë të lumtur në hapje kur valonte vetëm flamuri amerikan”.

Ndërsa, gazetari Baton Haxhiu,  tha se Hani i 2 Robertëve mund të përshkruhet me 5 fjalë: rrëfim i pamundur, guxim i pamundur.

“Ky vend nuk dinë ta shkruajë rrëfimin e lirisë së vet. Të rinjtë i ikin rrëfimit të kaluarës sepse aty ka qenë liria vetë. Pushteti moral te zyra e Ibrahim Rugovës dhe me 60 metra katror që është Hani. Sot ka pushtim dhe s’duhet guxim për ta. Hani ka qenë grumbulli i njerëzve që e kanë ndërtua lirinë në aq metra katror. Hani do të duhej të ishte muze. Prandaj nuk na duhet në kafe por na duhet dy heronj e asaj kohe. Këtë libër për Hanin e kanë bërë Fadili dhe Merita”.

Në anën tjeter, profesori dhe aktori Enver Petrovci  tha se duhet të bëhet muze Hani i dy Robertëve.

” Në atë kohë isha drejtor i Dodonës. Kishte muhabet të mirë aty. Ishim më pak të rrezikuar. Kushdo që hyn hyn nga dera në Han. Aty kemi mbajtur edhe mësim sepse kemi qenë të larguar nga hapësirat e fakulteteve tona. Aty kanë mbajtur mësim edhe regjia e teatrit. Gjithmonë kënaqeshim me ekspozita të mira. Pse nuk ekziston më Hani i dy Robertëve. Ai ka qenë podrum. Ky muze do të kishe pas kuptim. Ky shtet duhet ta bëjë muze dhe të quhet Hani i 2 Robertëve”.

Tutje, gazetari Avni Spahiu, tregoi se në atë vend organizoheshin takime të gazetarëve.

“Një rast i tillë sjellë nostalgji. Në mungesë të Hanit, ky do të jetë memorial për Hanin e 2 Robertëve. Duke parë këtë film m’u soll ndërmend se në ngjarje për luftërat ka disa objekte te cilat personalizohen dhe i tillë ishte Hani. Aty organizoheshin takime gazetarëve”.

Ndërsa, piktorja Zake prelvukaj, tha se Hanin e ka konsideruar si diamant.

“Ishte edhe meritë edhe guxim. Nuk ka qenë lehtë me rreziku edhe jetën e vet. Dhe Hanin e kam konsideruar diamant. Edhe ana psikologjike e neve ka qenë e përgatitur me krijua. Në atë kohë është bërë puro art. Jemi mbledh të gjithë dhe ka qenë një Kosovë e vogël”.

Po ashtu, edhe piktori Mehmet Behluli, tha se me Hanin komuniteti artistik e ka ndier vetën të plotësuar.

“Ne Hanin e kemi përjetuar si muze. Dhe kemi pasur rast me pa skenën artistike. Na vërtetë e kemi ndier veten të plotësuar kur jemi marrë me Hanin”.


MË SHUME NGA Kulturë