Manifesta 14 do të mbahet nga 22 korriku deri më 31 tetor 2022
Rtklive
Kulturë

Manifesta 14 do të mbahet nga 22 korriku deri më 31 tetor 2022

Manifesta ka shpallur sot datën e hapjes së edicionit të 14, i cili do të organizohet nga 22 korriku deri më 30 tetor 2022 në Prishtinë. Temë e këtij edicioni është se si qyteti i Prishtinës mund të transfermohet duke rimarrë hapësirën publike, derisa Fabrika e Tullave dhe hapësira përreth Bibliotekës “Hivzi Sylejmani”, do të jenë hapësirat e para në të cilat do të ndërhyhet.

Drejtoresha e Manifestës, Hedwig Fijen, tha se ky festival ka mandatin të zhvillojë se si qyteti i Prishtinës do të mund të transformohejë përmes rimarrjes në posedim të hapësirave publike nga qytetarët.

Ajo tha se tashmë janë caktuar dy vendet e para në të cilat do të ndërhyhet dhe se vitin e ardhshëm në këto lokacione do të zhvillohet aktivitete të shumta.

Fijen: Pjesa e parë është zhvilluar në Fabrikën e Tullave

“Vizioni urban shpresojmë se do të informojë se si do të formësohet Manifesta 14 në kontekstin lokal, por çka është më e rëndësishmja ajo ka mandatin të zhvillojë se si qyteti i Prishtinës do të mund të transformohej përmes riposedimit apo rimarrjes në posedim të hapësirave publike nga qytetarët...Jemi shumë të lumtur që tashmë hulumtimi është testuar javën e kaluar nga një intervenim i vogël i përkohshëm urban në dy vende në Prishtinë, pjesa e parë është zhvilluar në Fabrikën e Tullave, që është një prej vendeve më të rëndësishme dhe intervenimi i dytë ka qenë në lagjen përreth bibliotekës “Hivzi Sylejmani”. Këto dy lokacione vitin e ardhshëm do të jenë vendet më prominente të Manifesta-s dhe shumë prej aktiviteteve të Manifesta-s do të ndodhin në dhe përreth me komunitetin”, tha ajo.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, tha se kërkesa kryesore e tyre ndaj Manifesta ka qenë se si t’i ruajnë dhe si t’i rimarrin hapësirat publike.

Në këtë kontekst, Ahmeti tha se si komunë iu mbeten si beteja Fabrika e Tullave, Pallati i Rinisë, Hotel Grandi dhe stacioni i autobusëve.

Ahmeti: Kemi vendosur që ta marrim Tulltorën si temë kryesore të Manifesta-s

“Tri betejat kryesore që na kanë mbetur si Prishtinë po e them ndoshta në një luftë gati se të humbur, na mbetet Tulltorja, na mbetet ky institucion ku gjendemi tani, pra Pallati i Rinisë, të cilën me çdo kusht duhet ta ruajmë, mbrojmë nga deformimet potenciale që mund të vijnë dhe sikurse që është edhe Grandi dhe në pjesën e Dardanisë shpresojmë dhe luftojmë që stacioni i autobusëve ta mbajmë hapësirë publike sepse vijnë presione nga grupet e interesit të ndryshme dhe vështirë është të luftosh me paranë. Në diskutimet se cilën ta zgjedhim prej tyre ne kemi vendosur që ta marrim Tulltorën si temë kryesore t Manifesta-s përmes së cilës do të tregojmë edhe një mënyrë të mendimit, planifikimit dhe dizajnimit ndryshe që është me urbanizimin pjesëmarrës”, tha ai.

I pari i Komunës së Prishtinës, tha se Fabrikën e Tullave kanë vendosur që ta trajtojnë si temë kryesore të Manifesta-s, derisa përmendi se cilat kanë qenë tri kërkesat kryesore për këtë objekt.

Ahmeti: Kam kërkuar që nga Fabrika e Tullave të shohim se a mund t’i nxjerrim tri gjëra

“Kam kërkuar që nga Fabrika e Tullave të shohim se a mund t’i nxjerrim tri gjëra, e para është të dërgojmë mesazh të ruajtjes së trashëgimisë industriale kësaj radhe, të cilat janë të rëndësishme për identitetin e qytetit. Ato dy oxhaqet e Tulltores janë në panorama të ndryshme, po t’i shihni disa fotografi të cilat janë 50 vjet të vjetra do të shihni dy oxhaqet e tulltores, janë tejet të rëndësishme për fotografinë e qytetit, imazhin e qytetit dhe për ta ruajtur shpirtin e qytetit. Kjo ka qenë numër një, mundemi të ruajmë, duhet t’i ruajmë trashëgiminë kulturore, kësaj radhe edhe industriale sa më shumë që mundemi. E dyta, a mund që përmes një intervenimi të tillë të zvogëlojmë pabarazinë në qytet, Tulltorja gjendet në një lagje prej më të varfrave në Prishtinë e cila ka pasur edhe mungesë të investimeve me kohë edhe është shumë interesant qysh në një distancë ndoshta prej 500 metrave ka dallim aq të madh socio-ekonomik...dhe tre, natyrisht është ajo që me të cilën e nisëm, a jemi në gjendje ta ruajmë hapësirën publike apo në këtë rast siç e kemi quajtur të gjithë a mund ta rimarrim hapësirën publike, a mund t’i rimarrim trotuaret, a mund t’i rimarrim rrugët, a mund t’i rimarrim ndërtesat të cilat i konsiderojmë se janë të rëndësishme dhe të përbashkëta. ”, tha ai.

Zëvendësministrja e Kulturës, Daulina Osmani tha se Manifesta-n e shohin si mundësi që vet shoqëria të bëhet pjesë integrale e këtij laboratori socio-kulturor.

Ajo tha se Manifesta vjen në Prishtinë në një periudhë shumë të veçantë dhe të rëndësishme kulturore.

Osmani: Manifesta do të shërbejë si katalizator i transformimit të qëndrueshëm urban

“Ngjarje të tilla të mëdha kanë kapacitet të jashtëzakonshëm në ruajtjen dhe mbrojtjen e trashëgimisë shpirtërore dhe të promovojnë një mundësi të re në promovimin e aseteve të tilla brenda dhe jashtë shtetit. Për më tepër Manifesta do të shërbejë si katalizator i transformimit të qëndrueshëm urban të qyteteve tona që kontribuojnë në rritjen e prosperitetit ekonomik dhe social të vendit”, tha ajo.

Carlo Ratti , drejtor i MIT Senseable City Lab, Partner themelues në Carlo Ratti Associati, tregoi planin për ndërhyrjet në dy hapësirat e para që janë përcaktuar në kuadër të Manifesta-s.

Ratti: Tema pra është për rimarrja e hapësirave publike

“Së pari kemi definuar temat kyçe, tema pra është për rimarrja e hapësirave publike dhe imagjinojeni të ardhmen kur keni një hapësirë publike është një institucion i ri kulturor në atë hapësirë publike. Vendosëm që në fillim për dy vende, njëra është pra Fabrika e Tullave që është një pjesë e rëndësishme, qeveria ka investuar në Fabrikën e Tullave që ta marr atë dhe si mund të jetë kjo një katalizator për qytetin, filluam me Bibliotekën “Hivzi Sylejmani” dhe me disa hapësira para bibliotekës”, tha ai.

Në konferencën lansuese të datës së fillimit dhe të mbylljes së Manifesta, u tha se kjo ngjarje do të sjellë në Kosovë edhe vizitorë të shumtë.


MË SHUME NGA Kulturë