Ministria e Arsimit e ka prioritet edukimin e hershëm për fëmijë
Lajme

Ministria e Arsimit e ka prioritet edukimin e hershëm për fëmijë

Ardiana Hajzeri, Radio Kosova

Vetëm 19 për qind e fëmijëve të moshës 0 deri në 6 vjeç janë të përfshirë në edukimin e hershëm. Shkalla e ulët e përfshirjes së kësaj kategorie në edukimin e hershëm paraqet problem të madh për prindërit dhe për edukimin e mëtutjeshëm të fëmijëve.

Njohës të çështjeve të arsimit vlerësojnë se rritja e pjesëmarrjes është e ndërlikuar për shkak të kufizimeve infrastrukturore. Ata thonë se për këtë qëllim është e nevojshme që të investohet në të gjitha rajonet e vendit.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Arsimit, vetëm 19 për qind e fëmijëve të moshës 0 deri në 6 vjeç janë të përfshirë në edukimin e hershëm. Zëdhënësja e Ministrisë së Arsimit, Iliriana Pylla, në një përgjigje për Radio Kosovën  tha se ministria e ka prioritet edukimin e hershëm dhe shumë shpejt do të jetë gati Ligji për Edukimin në Fëmijërinë e Hershme.

 “Vetëm 19 për qind e fëmijëve 0 deri në 6 vjeç vijojnë edukimin në fëmijërinë e hershëm në Kosovë. Këto janë të dhëna që ne, si ministri i kemi. Kjo sigurisht është një shifër shumë e ulët e përfshirjes së fëmijëve në edukimin e hershëm, gjë që ne na bën të punojmë dhe reflektojmë shumë më tepër. Synimi i ministrisë është që të përfshihen të gjithë fëmijët pa përjashtim në edukimin e hershëm”, tha ajo.

Se shumë prindër po përballen me këtë problem, e thotë në një përgjigje për Radio Kosovën, Shqipe Bytyqi, nga fshati Arllat,  Komuna e Drenasit. Ajo tha se në mungesë të institucioneve edukative arsimore po detyrohen që fëmijët t’i mbajnë në shtëpi.

 “ Shumë problem është kjo çështje për nënat dhe fëmijët e sidomos për ne që jetojmë në zonat rurale se nuk kemi kopshte afër. Më të vërtetë është shumë e nevojshme që fëmijët të jenë në proces edukativ. Por për shkak të mungesës së kopshteve, po detyrohemi që fëmijët t’i mbajmë në shtëpi”, tha ajo.

E njohës të çështjeve të arsimit vlerësojnë se edukimi në fëmijërinë e  hershme është shumë i rëndësishëm, sepse ndikon drejtpërdrejt në edukimin e tyre. Rinor Qehaja, nga Instituti  “ Edguard” , i tha Radio Kosovës se Kosova ka nevojë për ngritjen e  kapaciteteve infrastrukturore dhe vetëdijesimin e qytetarëve për rolin e edukimit në fëmijërinë e hershme.  

 “Rritja e përfshirjes në edukimin e hershëm është shumë e ndërlidhur me kufizimet në kapaciteteve infrastrukture dhe vetëdijesimin për rolin e edukimit në fëmijërinë e hershme. Shpresoj shumë se rritja e investimeve në rajone, përtej kryeqytetit, do të rrisë tutje pjesëmarrjen, tha ai.

Ndërsa, ditë me parë Ministria e Arsimit ka bërë të ditur se Projektligji për Edukimin në Fëmijërinë e Hershme është në diskutim publik. Me ligjin e ri,  Edukimi Parafillor do të jetë i obliguar nga viti shkollor 2023-24.


MË SHUME NGA Lajme