Gjergji: T’i japim popullit dashurinë, paqen dhe guximin
Lajme

Gjergji: T’i japim popullit dashurinë, paqen dhe guximin

Në Katedralen “Nënë Tereza” në Prishtinë, nën drejtimin e ipeshkvit të Ipeshkvisë së Kosovës, imzot Dodë Gjergji është mbajtur Mesha për ditën e Pashkëve.

Mesha filloi me lutjen për paqe dhe dashuri, ku imzot Dodë Gjergji rikujtoi se kjo ditë është dita e ringjalljes së Krishtit, duke thënë që dëshmia e sotme ka një domethënie të rëndësishme se duhet t’i japin popullit pjesën e mirë që iu takon, dashurinë, paqen dhe guximin.

Gjergji: Feja është progresive nuk mundet askush të besojë menjëherë

“Feja është progresive nuk mundet askush të besojë menjëherë sepse për të besuar që është ngjallur duhet të besojmë që ka vdekur. Për të besuar që ka vdekur duhet të besojmë që e kemi shkaktuar ne njerëzimi prej Adamit e deri te unë vdekjen e tij. Për të besuar duhet ta kemi shpirtin e zotit sepse ne e kemi zemrën që ngutet, e kemi arsyen që frenon, është veç shpirti i Zotit që na çliron dhe na bën të kuptojmë se as duke u ngutur as duke frenuar, por duke ecur gjurmës së të vërtetës apsolute se Zoti është shpëtimtari ynë nëpërmjet birit të vet Jezu Krishtit që vdiq dhe u ngjallë nga të vdekurit”, tha ai.

Ai tha se shtrohet pyetja se çfarë zbrazëtie do të ishte në botë po të mos ishte krishterimin.

Gjergji: Kisha jonë do të dukej e varfër pa veprën e bamirëse dhe shkëlqimin e Nënë Terezës

“Si do të dukej bamirësia dhe dashuria njerëzore pa ato veprat e mëdha të shenjërve që vepronin në të gjitha kohërat sikur shkëlqente Shën Francesku në mesjetë e siç shkelen Nënë Tereza në kohën tonë. Si do të dukej bota pa krishtënizmin, ka edhe shumë gjëra që mund t’i analizojmë sepse janë 2 mijë vet. Po si do të dukej populli jonë pa kishën, pa mesharin e Gjon Buzukut, pa dëshminë e martirëve të parë Florit dhe Laurës, pa ato gjurmë të arkeologjisë që nëpër gjithë nëntokën tonë i gjejmë sot. Si do të dukej populli jonë pa Fishten, pa Bogdanin, kush do ta mbledhtë Kanunin , ose si do ta trajtonim ne Kanunin pa njerëzit e kishës, si do të dukej e varfër kisha jonë pa veprën e bamirëse dhe shkëlqimin e shprehur në vepra dashuria e shprehur në vepra nëpërmjet Nënë Terezës. Këndej është Zoti që i mbush këto zbrazëti në jetën tonë, në histori”, tha ai.

Gjergji bëri thirrje të kuptojmë, besojmë dhe t’i bindemi atij që na ka krijuar.

Gjergji: T’i japim popullit tonë pjesën e mirë që i mungon, dashurinë, paqen, pajtimin

“Të vazhdojmë në kohën tonë, t’i japim edhe botës, edhe popullit tonë pjesën e mirë që i mungon, dashurinë, paqen, pajtimin, guximin për të marrë përgjegjësin e jetës dhe sakrificat që i kërkon ajo, dhe angazhimin për të shkuar te të gjithë njerëzit jo vetëm që e kemi parë varrin e zbrazun por e kemi parë Krishtin e ngjallur në galile, ai jeton në ne, ai jeton për ne, ne vdesim për të dhe nëpërmjet tij e marrim jetën“, ka thënë ai.

E pranishme në meshë për festën e Pashkëve ishte edhe ministrja e Jashtme dhe e Diasporës në Kosovë, Donika Gërvalla, si dhe qindra qytetarë.

Pashkët, janë kremtimi më i madh i kalendarit liturgjik të Kishës Katolike dhe i kishave të tjera të krishtera, të cilat kremtojnë Ringjalljen e Jezuit të Nazaretit ndodhur, sipas Besëlidhjes së Re, tri ditë pas vdekjes së tij.


MË SHUME NGA Lajme