Kurti: Të ndëshkohen kryerësit e krimeve në Qyshk, Pavlan, Zahaq e Llabjan
Lajme

Kurti: Të ndëshkohen kryerësit e krimeve në Qyshk, Pavlan, Zahaq e Llabjan

Blerim Halimi / RTKlive

Kryeministri Albin Kurti i ka përkujtuar viktimat e krimeve makabre të forcave serbe në luftën e fundit në  Qyshk, Pavlan, Zahaq dhe Llabjan, si dhe ka kërkuar që kriminelët të marrin dënimin e merituar. Në këto fshatara para 23 vjetësh janë vrarë 95 civilë, derisa janë dëbuar me dhunë dhe janë plaçkitur qindra civilë shqiptarë.

“Për të gjithë ata që e kanë përjetuar luftën e fundit në Kosovë në këtë zonë, ju kujtohet që gjatë majit 1999 në të gjitha këto fshatra, plaçkiteshin, ndaheshin burrat nga gratë, kryhej pushkatimi dhe digjeshin shtëpitë me kufoma brenda. Krime të njëpasnjëshme. Secili më i rëndë se tjetri”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Sipas tij, zakonisht për raste të tilla mungojnë gjykimet, vendimet e aktakuzat. Por në rastin e masakrave në fjalë, ai ka kujtuar se për disa prej vrasjeve u iniciua gjykimi në Beograd, si rezultat i kallëzimit penal të bërë nga Fondi për të Drejtën Humanitare.

“Aktakuza ishte ngritur në vitin 2010, ndërsa në shkurt të vitit 2014 me Aktgjykim të shkallës së parë tre persona u dënuan me nga 20 vjet burgim, një me 15 vjet, një me 12 vjet, një me 10 vjet, një me 5 vjet, dy me nga 2 vjet burgim, ndërsa ndaj dy personave u tërhoqën akuzat. Por, në shkurt të vitit 2015 Departamenti për Krime Lufte i Gjykatës së Apelit në Beograd anuloi aktgjykimin e shkallës së parë dhe ktheu lëndën në rigjykim. Prej 2015-ës disa të akuzuar kanë vdekur, e disa janë larguar nga aktakuza për shkak të gjendjes së keqe shëndetësore. Megjithatë qysh prej vitit 2015, gjykimi është akoma duke vazhduar. Prej vitit 2015, s’ka asnjë rezultat konkret”, ka nënvizuar kryeministri.

Ai ka thënë se përkundër faktit që janë dëgjuar 116 dëshmitarë në këtë rast, akoma sot, në vitin 2022, nuk ka asnjë të dënuar me Aktgjykim përfundimtar.

“Drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar. Viktimat meritojnë të pushojnë në paqe, e familjet të jenë të qetë duke e ditur që kriminelët kanë marrë dënimin e merituar”, ka thënë Kurti në fund të shkrimit të tij në përkujtim të krimeve të kryera nga forcat serbe në Qyshk, Pavlan, Zahaq dhe Llabjan.