Kurti: Borell hoqi dorë nga propozimi i BE-së për marrëveshjen finale
Valmira Saraçi Sahatçiu/RTKlive
(E plotësuar 16:45) Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se propozimi i përfaqësuesit të lartë për Politikë të Jashtme të BE-së, Josep Borell, që Kosova të mos shqiptojë gjoba për targat ilegale dhe Serbia të mos prodhojë tabela të reja KM ka qenë i papranueshëm për palën kosovare pa qenë e shoqëruar me pjesën për t’u angazhuar për marrëveshjen finale për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.
“Propozimi ishte që ne t’i pezullojmë gjobat e të vazhdojmë vetëm me qortimet e në anën tjetër Serbia të pushojë me emetimin, prodhimin, lëshimin e targave në Serbi me akronime të Kosovës. Për neve kjo nuk është e pranueshme, nëse kjo nuk shoqërohet edhe me atë për atë çfarë jemi ftuar, pra me urgjencë që të angazhohemi për marrëveshje finale për normalizim të plotë të marrëdhënieve”, ka theksuar Kurti.
Tutje i pari i Qeverisë së Kosovës, ka thënë se në propozimin që ua kanë sjellë për deklaratën e përbashkët, Borell e Lajçak, madje ka qenë edhe afati i marsit 2023. “Pra që ne po vijmë këtu në Bruksel për t’u marr vesh drejtë një ecje të re për marrëveshje që arrihet para marsit 2023. Me keqardhje mund të them që ndërmjetësit e BE-së, me këtë rast përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borell, praktikisht hoqi dorë nga ky afati i marsit 2023 por edhe nga propozimi i BE-së për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Po them me keqardhje sepse vetë e kanë propozuar marsin e vitit 2023 dhe në anën tjetër gjithashtu propozimi është i BE-së”, ka shtuar Kurti.
Ai theksoi se ku u takua në Paris në kuadër të Forumit për Paqe, Borell tha se propozimi nuk është franko-gjerman, por është propozim i BE-së i mbështetur nga Franca e Gjermania.
“Sot po them me keqardhje, ai hoqi dorë nga propozimi i BE-së për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë. Unë jam i gatshëm të vijë këtu të zhvilloj takime gjithmonë me strukturën dhe rendin e njëjtë, marrëveshja finale me normalizim të plotë të marrëdhënieve që e ka njohjen reciproke në qendër dhe çështjet aktuale që janë të natyrave të ndryshme, siç është edhe kjo si puna e këtyre targave, mirëpo nuk bën njëra pa tjetrën. Nuk mund të jemi të papërgjegjshëm të mos i trajtojmë çështjet aktuale, por nuk mund të shndërrohemi në lider shtetëror që merren vetëm me çështje të targave e nuk diskutojnë për normalizim të marrëdhënieve. Andaj edhe jemi në këtë situatë çfarë ndodhemi tani. Unë shpresoj që BE-ja do të gjejë forcën që t’i rrijë prapa propozimit të vetë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës e Serbisë. Për pasojë pas 8 orë bisedimesh në 6 takime, tri bilaterale dhe tri trilaterale ne nuk kemi një marrëveshje”, ka përfunduar Kurti adresimin e tij para gazetarëve në Bruksel.
Borell konfirmon se takimi u mbyll pa marrëveshje
(E plotësuar, 16:10)
Shefi për Politikë të Jashtme të BE-së, Josep Borrell, ka konfirmuar se takimi i sotëm ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka përfunduar pa ndonjë marrëveshje për çështjen e targave.
"Pas shumë orë diskutimesh, të dy palët nuk ranë dakord për zgjidhjet", tha Borrell për gazetarët.
"Po, ne kemi mision, EULEX-in, edhe KFOR-in po ashtu. Por, ata nuk mund të marrin sipër rolin e Policisë së Kosovës", tha Borrel.
“Sundimi i ligjit nuk duhet të shërbejë si pretekst për tensione dhe përshkallëzim, duke mos respektuar detyrimet e rëndësishme dhe detyruese të dakorduara shumë vite më parë në kuadër të dialogut që po zhvillohet nga Bashkimi Evropian dhe paraardhësit e mi. Bashkimi Evropian dhe partnerët tanë ndërkombëtarë kanë bërë thirrje në mënyrë të përsëritur për de-përshkallëzimin, pa dobi. Ky takim i sotëm kishte të bënte me përgjegjësinë e liderëve për të depërshkallëzuar urgjentisht situatën, për të siguruar që paqja dhe stabiliteti të rivendosen dhe më e rëndësishmja, do të mbizotërojnë – shmangia e një krize me pasoja shumë të rënda”, deklaroi Borell.
Që nga vera e kaluar, ai tha se janë preokupuar me menaxhimin e përhershëm të krizave, duke u përpjekur të shmangim një afat pas tjetrit: “nga afati në afat, nga kriza në krizë”.
“Kjo do të thotë se ne nuk kemi qenë në gjendje të adresojmë çështjen reale. Çështja e vërtetë është normalizimi i marrëdhënieve, i cili do të zgjidhte dhe parandalonte situata të tilla krize – pasi shkaqet rrënjësore shkojnë shumë përtej targave. Ia kam bërë shumë të qartë të dyja palëve se nuk mund të vazhdojmë kështu, se ky rreth vicioz krizash dhe afatesh duhet të ndalet”, deklaroi mes tjerash Borell.
Si presidenti Vuçiq ashtu edhe kryeministri Kurti, sipas tij, janë liderë të zgjedhur me mandate të forta. “Ne presim që ata të tregojnë lidership dhe vullnet për të zgjidhur mosmarrëveshjet e tyre dhe për të çuar përpara normalizimin e marrëdhënieve, në mënyrë që ata të mund të përparojnë në rrugët e tyre evropiane. Por, pas shumë orë diskutimesh, që prej orës 8:00 të mëngjesit të sotëm, dy palët nuk ranë dakord për një zgjidhje sot”, tha ai.
“Për hir të transparencës, më duhet të them se ne bëmë një propozim, që mund ta shmangte këtë situatë të rrezikshme, të cilin presidenti Vuçiq e pranoi sot, por fatkeqësisht nuk e bëri kryeministri Kurti. Për të shmangur përshkallëzimin ai tha se ka propozuar një marrëveshje që “Kosova të pezullojë menjëherë fazat e mëtejshme që kanë të bëjnë me ri-regjistrimin e automjeteve në veri të Kosovës. Dhe Serbia të pezullojë lëshimin e targave të reja me emërtimet e qyteteve të Kosovës, përfshirë targat KM”. Tha ai.
Ky ishte propozimi që, sipas tij, pothuajse u arrit, “por duke qenë se nuk ishte e mundur për shumë arsye të ndryshme (arritja e marrëveshjes), dua të theksoj se po u bëj thirrje të dyja palëve që të zbatojnë këto dy kërkesa. Kjo do t’u jepte hapësirë dhe kohë palëve që të kërkojnë një zgjidhje të qëndrueshme për çështjen e targave, në kuadrin e normalizimit të marrëdhënieve që është objektivi ynë më i rëndësishëm. Ndërkohë, mungesa e marrëveshjes sot do të thotë gjithashtu se duhet të nxjerrim përfundimet tona se si po zhvillohet ky proces negociatash”, deklaroi Borell.
Ai tha se do të informoj shtetet anëtare për këtë takim.
“Do t’i informoj kolegët e mi, Ministrat e Punëve të Jashtme dhe partnerët tanë për sjelljen e palëve të ndryshme dhe mungesën e respektimit të detyrimeve të tyre ligjore ndërkombëtare, dhe më duhet të them, kjo vlen veçanërisht për Kosovën. E di, kjo dërgon një sinjal politik shumë negativ. Në mbyllje, ua kam bërë shumë të qartë të dy liderëve se nëse anëtarësimi në Bashkimin Evropian është objektivi i tyre përfundimtar, për të cilin janë përkushtuar të dy, ne presim që ata të veprojnë në përputhje me këtë”, tha shefi i diplomacisë evropiane.
Duke i dhënë mbështetje emisarit për ndërmjetësim në dialog, Mirosllav Lajçak, Borell tha se “sa i përket propozimit nga Franca dhe Gjermania, mendoj se është ende rruga e mundshme për të dalë nga kjo krizë, me perspektivën e normalizimit dhe përmbushjes së plotë të çdo angazhimi dhe marrëveshjeje“.
Shpresoj që të dyja palët, sipas tij, të veprojnë për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm dhe një krizë të re të rrezikshme.
Vuçiq: S`ka marrëveshje, por presim deklaratën e Borellit
(E plotësuar, ora 15:45) Pas përfundimit të takimit trepalësh në Bruksel për mediat është deklaruar deri më tani vetëm presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.
Ai ka thënë se janë në pritje të deklaratës së shefit të Politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borell, porse sipas tij për ‘arsye të paqarta nuk kanë arritur absolutisht asnjë marrëveshje’.
“Pala serbe ishte krejtësisht konstruktive. Ne pranuam tekstet dhjetë herë të ndryshuara, por pala shqiptare në asnjë sekondë nuk donte të pranonte asgjë. Ata gjithmonë donin të shtonin diçka që qartësisht nuk ishte e mundur”, tha Vuçiq.
Ai ka thënë se do t’i dëgjojnë këshillat dhe kërkesat e Borellit.
"Para nesh janë netë pa gjumë dhe sigurisht shumë ditë të vështira. Por ne do të dëgjojmë këshillat dhe kërkesat e Borellit - ai kërkoi që ata të mos aplikojnë gjobat dhe ne të mos lëshojmë targa të reja KM. Ne thamë se për ne kjo është në rregullt dhe ne do ta respektojmë këtë”, ka theksuar Vuçiq.
Pas takimit më shumë se pesë orësh, Vuçiq thotë se nuk ka marrëveshje
( E plotësuar) Korrespodentja e RTK-së, Gjeraqina Tuhina ka njoftuar se tashmë ka përfunduar takimi mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti me presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiq, takim ky i thirrur me urgjencë nga kryediplomati evropian, Josep Borell. Siç ka deklaruar presidenti i Serbisë, takimi ka përfunduar pa marrëveshje. Pritet që në konferencë për media të dalë nikoqiri i këtij takimi, Josep Borell.
(E plotësuar) Prej pesë orësh, ende vazhdon takimi Kurti-Vuçiq në Bruksel
Ka hyrë në orën e pestë takimi trilateral i nisur rreth orës 10:00 të paradites mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq e dyshes evropiane, kryediplomatit të BE-së, Josep Borell e emisarit për dialogun, Miroslav Lajçak.
Korrespodentja e RTK-së, Gjeraqina Tuhina e cila nga afër po ndjekë zhvillimet, thotë se ende nuk ka ndonjë indikacion se kur pritet të përfundojë ky takim trilateral.
Ndërkohë para këtij takimi të përbashkët, në orën 08:00 me dy evropianët takim të veçantë zhvilloi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas tij nga ora 09:00 takimin me ta e vazhdoi presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
Pritet që pas përfundimit të takimit para gazetarëve të flasë njeriu i cili me urgjencë i ftoi palët në Bruksel, kryediplomati evropian, Josep Borell.
(E plotësuar) Mbi tri orë nga nisja, vazhdon takimi Kurti-Vuçiq në Bruksel
Kanë kaluar më shumë se tri orë prej kur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është ulur në tryezën e dialogut përballë presidentit serb, Aleksandër Vuçiq me ndërmjetësimin e shefit për diplomaci evropiane, Josep Borell e emisarit të posaçëm të BE-së,Miroslav Lajçak.
Pala evropiane si ndërmjetësuese synon që palët të arrijnë marrëveshje që do të ulte tensionet e rritura pas vendimit qeveritar për targat, vendim që qoi në braktisje të institucioneve nga serbët në nivel qendror e lokal.
Ndërkohë, është paralajmëruar një konferencë për media e nikoqirit të këtij takimi urgjent, kryediplomatit evropian, Josep Borell.
( E plotësuar) Vazhdon takimi Kurti- Vuçiq me ndërmjetësimin e BE-së në Bruksel
Ende po vazhdon takimi i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq në Bruksel, takim ky që u thirr nga shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borell e ku i pranishëm në tryezë është edhe emisari i BE-së për dialog, Miroslav Lajçak.
Të dy liderët nga Kosova e Serbia u ftuan urgjent në kryeqendrën evropiane si tentim nga evropianët për të ulur tensionet tash kur pritet në nisë edhe zbatimi i masës së dytë të shkallëzuar nga Qeveria e Kosovës sa i përket targave ilegale, asaj të dënimeve, hyrja në fuqi e së cilit vendim u shty për të martën.
“T'i japim fund menaxhimit të krizave të vazhdueshme dhe në vend të kësaj të fillojmë të përparojmë drejt normalizimit të marrëdhënieve”, kishte shkruar të dielën në Twitter, Borell.
Para takimit trepalësh, Borell e Lajçak herët paradite patën takime të ndara me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti e me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
Ndonëse në takim, kryeministri i Kosovës ishte i vetëm përballë Borellit e Lajçakut nga pamjet shihet se para nisjes së takimit në objektin e BE-së ishte edhe kryediplomatja kosovare, Donika Gërvalla e ambasadori i Kosovës në Bruksel, Agron Bajrami.
Korrespodentja, Gjeraqina Tuhina në një lidhje të drejtpërdrejt nga Brukseli tha për RTK-në se varësisht nga kohëzgjatja e takimit trepalësh, do të do të jetë indikacion nëse i njëjti ka pasur ose jo sukses.
“Sa më i shkurtër të jetë takimi do t’i bie se nuk ka marrëveshje, nëse do të jetë më i gjatë e do të kalojë në orët e pasdites, atëherë do të jetë edhe sinjal që palët po mëtojnë të gjejnë një zgjidhje kompromisi. Të gjitha opsionet janë të hapura dhe mbetet të shihet kur dhe si do të përfundojë ky takim dhe cili do të jetë epilogu i të njëjtit”, tha ajo.
Takimi i fundit mes kryeministrit të Kosovës Albin Kurti e presidentit serb, Aleksandër Vuçiq ishte mbajtur më 18 gusht në Bruksel, aty ku palët ishin pajtuar që takime të nivelit të lartë të zhvilloheshin çdo muaj. Pavarësisht kësaj takim tjetër që nga ajo kohë nuk pati, derisa ky i sotmi vjen pas tre muajsh.
Nis takimi trepalësh, BE - Kosovë - Serbi në Bruksel
Pas takimeve të ndara që kryediplomati evropian, Josep Borell ka pasur fillimisht me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti pastaj me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, tashmë në Bruksel ka filluar takimi trepalësh, BE-Kosovë-Serbi.
Përfundon takimi Kurti-Borell, nisë ai Borell-Vuçiq
Ka përfunduar takimi bilateral mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti me shefin e diplomacisë evropiane Josep Borell. Në takim me shefin e diplomacisë evropiane është presidenti serb, Aleksandër Vuçiq. Pas këtij takimi pritet të mbahet i ashtuquajturi takimi trilateral: BE-Kosovë- Serbi.
Bruksel: Filloi takimi Borell-Kurti dhe më pas takimi me Vuçiqin
(E plotësuar, ora 08:20) Shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borell, po takohet sot në Bruksel me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Më pas, sipas njoftimit, ai do të ketë një bisedë edhe me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Takimet e veçanta pasohen nga një takim i përbashkët, i ashtuquajturi trepalësh ndërmjet Bashkimit Evropian (BE), Serbisë dhe Kosovës.
Vuçiq dhe Kurti duhet të takohen në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, raporton REL.
Krahas Borellit, palën evropiane në takim do ta përfaqësojë edhe përfaqësuesi special i BE-së për dialog, Miroslav Lajçak.
Borrell e Lajçak sot takim trepalësh me Kurtin e Vuçiqin në Bruksel
A.Bela / RTKlive
Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme e Siguri, Jopsep Borrell, sot në Bruksel, në takime të ndara, do të diskutojë me kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, rreth çështjes së targave ilegale të automjeteve që Serbia lëshon për qytetarët e Kosovës.
Borrell në llogarinë e tij në Twitter, ka shkruar se ka ftuar të hënën një takim urgjent në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, kryeministrin Kurti dhe presidentin Vuçiq.
“Ne kemi nevojë për de-përshkallëzim të situatës, që të ndalojmë së menaxhuari një krizë të përhershme dhe në vend të kësaj të fillojmë të avancojmë drejt normalizimit të marrëdhënieve”, ka shkruar ai.
Kurse Zyra për Media e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme e Sugurisë, ka njoftuar se takimet do të mbështeten nga Emisari Special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, sllovaku Miroslav Lajçak, raporton RTKlive.
“Të hënën më 21 nëntor, në Bruksel do të mbahet një takim urgjent i nivelit të lartë të dialogut Beograd-Prishtinë. Takimi do të lehtësohet nga Përfaqësuesi i Lartë/Zëvendëspresidenti Josep Borrell, i mbështetur nga Përfaqësuesi Special i BE-së Miroslav Lajçak”, shkruan në njoftimin zyrtar.
“Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, konfirmuan pjesëmarrjen e tyre”, thuhet në njoftim.
Kështu, bazuar në këtë njoftim, Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Borrell, do të nisë me takime të veçanta me secilin lider, duke filluar nga ora 08:00 e mëngjesit, e më pas do të ketë edhe një takim të përbashkët.
“Fokusi i takimit urgjent do të jetë gjetja e një rrugëdaljeje nga kriza aktuale dhe shmangia e çdo përshkallëzimi dhe tensioni të mëtejshëm në terren, me theks në targat dhe kthimin e serbëve të Kosovës në institucionet e Kosovës. Në fund të takimit do të ketë një deklaratë për mediat nga Përfaqësuesi Lartë”, njofton Zyra për Media e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme e Sugurisë.
Ky takim mbahet në kohën kur një pjesë e serbve të Kosovës me direktiva të Beogradit zyrtar, kanë braktisur institucionet e Kosovës, në katër komunat në veri të vendit.
Policë, gjyqtarë, prokurorë e zjarrëfikës, kanë braktisur detyrat e tyre, veprim që e kanë bërë edhe deputetët e Listës Serbe në Kuvendin e Kosovës, e të cilët më vonë ndryshuan mendje, dhe të tjerë që ishin në listën e pritjes, dhanë betimin dhe rimorën mandatet.
Ndryshe Policia e Kosovës, dje ka bërë të ditur se edhe më datën 21 nëntor do të vazhdojë masa e qortimit të shoferëve me targa ilegale serbe, ndërkaq më 22 nëntor nis shqiptimi i gjobave. Shqiptimi i gjobave prej 150 eurosh, sipas Policisë do të zgjatë deri me 21 janar 2023. Deri më 20 nëntor janë shqiptuar rreth 1.740 qortime, për shoferët e makinave me targa ilegale serbe.
“Policia deklaron se konform planifikimeve operacionale, ka vazhduar angazhimet policore në zbatim të ligjit dhe të rendit kushtetues, si dhe zbatimin e vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës të datës 28 tetor2022, i cili ka të bëjë me procesin e regjistrimit të mjeteve nga targa PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo “ĐA” në targa RKS”, njofton Policia e Kosovës.