Kurti:Konfirmuam se propozimi i BE-së është i pranueshëm e i pandryshueshëm
RTKlive
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pas takimit në Bruksel ka thënë se ka qenë i gatshëm ta vendosë nënshkrimin e tij në marrëveshje, por se pala tjetër edhe pse u pajtua nuk pati gatishmërinë ta vendosë nënshkrimin në dokument.
“Sot patëm një takim pozitiv konstruktiv në Bruksel. Ky takim ishte konfirmim që propozimi evropian është i pranueshëm dhe i pandryshueshëm. Unë qysh më herët pata thënë se është bazë e mirë dhe platformë solide për ecje para. Tash ecja përpara do të jetë për planin e zbatimit. Do të ketë edhe diplomaci fluturuese po edhe takim të radhës të nivelit të lartë kah mesi i muajit të ardhshëm. Unë i falënderoj z. Borrell dhe z. Lajçak për punën që kanë bërë deri më tash dhe besoj se jemi në rrugë të mbarë dhe njëpasnjëshme të normalizimit të marrëdhënieve për fqinjësisë së mirë evropiane”, ka theksuar Kurti.
Kryeministri e ka konsideruar si dëm faktin që sonte nuk është nënshkruar asgjë lidhur me atë për të cilën palët janë pajtuar.
"Është marrëveshje që plotësisht vendos barazi të palëve, është marrëveshje e simetrisë e fqinjësisë së mirë e edhe bashkëpunimit në të ardhmen, në mënyrë demokratike e evropiane gjithmonë. Nuk kam nënshkruar, sepse pala tjetër nuk ishte e gatshme të nënshkruaj. Kam shprehur gatishmëri e interesimin tim të nënshkruaj këtë tekst, por pala tjetër nuk ishte e gatshme, edhe pse u pajtua", ka shtuar Kurti.
Në pyetjen e gazetarëve se a do të zbatohet Asociacioni me këtë plan, kryeministri Kurti ka thënë se “ajo është fjalia e fundit, praktikisht e nenit të fundit dhe për këtë gjë tash jam përgjigjur”.
Borrell: Sot kemi arritur progres, takimi i radhës në mars
Shefi i BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell pas përfundimit të takimit ndërmjet kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka thënë se dy liderët kanë bërë progres dhe janë zotuar që të zbatohet ajo çfarë është nënshkruar në Bruksel.
Ai ka vlerësuar faktin se të dy palët janë deklaruar se nuk nevojiten diskutime tjera sa i përket propozimit të BE-së.
“Presidenti Vuçiq dhe kryeministri Kurti sot janë pajtuar se nuk nevojiten diskutime të tjera sa i përket propozimit evropian që e ka titullin ‘Normalizimi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi”, ka theksuar Borrell, sipas të cilit ky plan do të publikohet nga BE.
Ai tutje ka thënë se kjo marrëveshje mbi të gjitha është për qytetarët e Kosovës dhe Serbisë, pasi ofron mundësi të mira për lëvizje të lirë, tregti të lirë pa burokracitë e deritashme.
Ai ka thënë se për serbët në Kosovë kjo do të thotë më shumë siguri dhe përshtatshmëri dhe më shumë të drejta.
Borrell ka thënë se palët kanë shprehur gatishmërinë për zbatimin e marrëveshjeve të arritura. “Ata shprehën gatishmërinë e tyre për të zbatuar marrëveshjen, porse nevojiten ende negociata tjera për të përcaktuar modalitetet. Diplomacia ecajake do të vazhdojë”, ka shtuar Borrell, i cili ka bërë të ditur se në mes të muajit të ardhshëm do të ftojë dy liderët për një takim tjetër, për siç ka thënë finalizimin e diskutimeve.
Vuçiq: Do të kemi takime të shumta në të ardhmen
Pas përfundimit të takimit, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka thënë se nuk ka pasur marrëveshje me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, porse janë dakorduar të vazhdojnë bisedimet edhe në të ardhmen.
“Një takim i vështirë dhe besoj se do të ketë shumë takime në periudhën e ardhshme. Në takimin e radhës do të shihemi më 18 mars në Maqedoninë e Veriut, kur Borrell do të vizitojë Ballkanin Perëndimor. Kurti nuk është i gatshëm ta pranojë Asociacionin tash, nëse do të jetë i gatshëm ta pranojë në të ardhmen të shohim”, ka theksuar Vuçiq.
Ai ka thënë se shpreson të gjejnë marrëveshje, por ka thënë se “kam frikë se do të ngelim në këtë çështje”. “Besoj se do t’i tejkalojmë mospajtimet dhe do të punojmë në atë që e kemi quajtur zbatim”. Por, Vuçiq ka këmbëngulur se në rend të parë duhet të jetë Asociacioni.
Përfundon takimi në Bruksel
Është mbyllur takimi i sotëm ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i ndërmjetësuar nga shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell dhe i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.
Pas pak minutash para mediave pritet të paraqitet shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell.
Nis takimi trepalësh në Bruksel
(E plotësuar) Ka nisur takimi trepalësh në Bruksel, mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, presidentit serb Aleksandar Vuçiq, i ndërmjetësuar nga shefi i BE-së, Josep Borrell, dhe i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.
Ky takim pasoi pas takimeve veç e veç të Kurtit dhe Vuçiqit, më herët gjatë së hënës. Në Bruksel ndodhet edhe i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Në pritje të takimit trepalësh në Bruksel
(E plotësuar) Ndonëse ishte planifikuar që takimi trepalësh Borrell – Kurti-Vuçiq të niste në orën 17:15, edhe më tutje nuk ka ndodhur një takim i tillë.
Korrospodentja e RTK-së në Bruksel, Gjeraqina Tuhina, ka konfirmuar se tashmë kanë përfunduar dy takimet bilaterale të përfaqësuesit e Lartë të BE-së për dialogun, Joseph Borell dhe të dërguarin e posaqëm të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak me kryeministrin Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
Sipas Tuhinës kjo vonesë do të thotë se ose nuk ka nuk ka përafrim të palëve në bisedime ose ende po përgatitet terreni për takimin trepalësh. Ajo ka thënë se takimi trepalësh do të ndodhë vetëm nëse ndërmjetësit e BE-së do ta kenë të qartë se do të ketë rezultat konkret në bisedime, përkatësisht nëse do t'i jepet përkrahje nga të dyja palët propozimit të BE-së për marrëveshjen bazë.
Pra, ndërmjetësuesit presin që Kurti e Vuçiq ta përkrahin formalisht propozimin bazë dhe të nisin bisedat për zbatimin e 10 pikave të marrëveshjes bazë, e cila do të sjellë normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.
Përfundon takimi i Borrellit me Vuçiqin, tani pritet takimi trepalësh
(E plotësuar) Ka përfunduar edhe takimi i presidentit serb, Aleksandar Vuçiq me përfaqësuesit e Lartë të BE-së për dialogun, Joseph Borrell dhe të dërguarin e posaqëm të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak.
Tani pritet të fillojë takimi trepalësh. Paraprakisht, Borrell dhe Lajçak kanë zhvilluar takim edhe me kryeministrin, Albin Kurti.
Paraprakisht si Kurti, ashtu edhe Vuçiq ndaras janë takuar edhe të dërguarin e posaçëm të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Kurti takohet në Bruksel me Lajçak e Borrell/Video
(E plotësuar) Ka përfunduar takimi i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, me zyrtarët e Bashkimit Evropian në Bruksel. Në takim ishin të pranishëm shefi i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Joseph Borrell dhe emisari i BE-së për bisedime Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Diplomatët evropianë do të presin edhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, derisa pas takimeve dypalëshe, do të zhvillojnë një takim të përbashkët me Kurtin e Vuçiqin.
Në Bruksel ndodhet edhe i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i cili do të duhej t’i takonte palët veç e veç, përpara takimit të përbashkët.
Të dyja palët pritet të arrijnë pajtueshmëri për propozimin e BE-së, si një “marrëveshje bazë” për normalizimin e raporteve.
Ndërsa zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka thënë se BE pret qasje evropiane nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksadanar Vuçiq, në rrugën drejt marrëveshjes finale.
I pyetur për pritjet nga ky takim, Stano ka thënë se nuk mund të parashikohet diçka e tillë.
“Gjithçka varet nga gatishmëria e kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiq që të pajtohen për rrugën përpara. Pritjet e BE-së nga liderët e të dyja shteteve është qasja evropiane që u mundëson atyre të gjejnë forcën, kurajën, gatishmërinë për kompromis evropian, në të mirë të popujve të tyre dhe në interes të perspektivës evropiane për Kosovën dhe Serbinë”, ka thënë Stano.
Zëdhënësi i BE-së ka thënë se e ardhmja evropiane e Kosovës dhe Serbisë varet nga përparimi që bëhet në dialog.
“Përparimi arrihet përmes kompromiseve, angazhimit konstruktiv dhe të kuptuarit se kjo është mënyra e vetme për të përmbushur synimet e tyre strategjike”, ka deklaruar Stano.
Takimi i sotëm Kurti - Vuçiq në Bruksel, kjo është agjenda
Përfaqësuesi i Lartë, Josep Borrell mbështetur nga Përfaqësuesi Special i BE-së, Miroslav Lajçak do të zhvillojë takime të ndara me liderët, duke filluar nga ora 15:00, pasuar nga një takim i përbashkët. Në takim do të diskutohet për Propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisëm rapoton RTKlive.
Në fund të takimit do të ketë një deklaratë për mediat nga Përfaqësuesja e Lartë. Deklarata për shtyp e Përfaqësuesit të Lartë Borrell do të transmetohet drejtpërdrejt.
Sipas të dërguarit të Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, ky propozim nuk do të negociohet.
Në një intervistë ekskluzive për RTK-në, ai tha se plani evropian është i tipit merre ose lëre. “Plani në vetvete nuk do të negociohet, vetë plani është i hartuar nga BE, palët janë konsultuar pasi drafti i parë është ndarë me ta dhe nuk shohim asnjë arsye e as gjasa për negociata, ne besojmë vërtet se është plani që trajton çështjen që respekton vijat e kuqe të të gjitha palëve dhe ofron maksimumin e arritshëm' deklaroi Lajçak.
Para se të shkoi në kryeqytetin evropian Bruksel, për takimin e radhës me presidentin serb Vuçiq, kryeministri Kurti, ka thënë se statusi aktual i marrëdhënieve të Kosovës me Serbinë nuk është normal e status normal është ai i fqinjësisë së mirë, me njohjen reciproke si thelb dhe reciprocitetin si princip.
Këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, i ka thënë të dielën presidentit serb, Aleksandar Vuçiq se, Shtetet e Bashkuara e mbështesin plotësisht propozimin e Bashkimit Evropian për normalizim të marrëdhënieve në mes të Prishtinës dhe Beogradit.
Chollet i ka thënë edhe Kurtit një ditë më parë se tani është koha që të diskutohet për Asociacionin. Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij.
Kryeministri Kurti, të dielën ka pranuar një letër të përbashkët edhe nga presidenti i Francës, Emmanuel Macron, kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz dhe kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni në lidhje me takimin e sotëm në Bruksel dhe propozimin Evropian.
Në këtë letër ata kanë mirëpritur deklarimet publike të kryeministrit Kurti sa i përket propozimit Evropian.
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka thënë se të hënën nuk do të ketë marrëveshje finale gjithëpërfshirëse ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me njohjen e ndërsjellë në qendër dhe kjo nuk do të jetë më fare temë e diskutimi. Kurse kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se marrëveshja përfundimtare në thelb duhet të ketë njohjen e ndërsjellë ndërmjet dy vendeve.