Tri ditë para nisjes së edicionit të parë të Festivalit të Këngës në RTK, ambientin ku do të organizohet kjo ngjarje e kanë vizituar anëtarët e Bordit të RTK-së, nënkryetarja Arta Berisha dhe anëtari Driton Hetemi si dhe drejtori i Televizionit, Rilind Gërvalla.

Ky i fundit ka qenë i pranishëm edhe në konferencën për media, ku janë shpalosur  detaje të këtij festivali.

Drejtorit i Festivalit Adi Krasta ka theksuar se ata si organizatorë e kanë gëzuar mbështetjen e plotë të drejtuesve të Bordit dhe të Menaxhmentit të transmetuesit publik.

Festivali i Këngës në RTK është rezultat i një memorandumi të nënshkruar në shkurt të këtij viti nga kryetari i Bordit të RTK-së, Besnik Boletini dhe ministri i Kulturës Hajrullah Çeku, i cili parasheh mbështetje për organizmin e festivalit edhe për dy vite të tjera.

Realizimit të festivalit i ka paraprirë një punë disa mujore e angazhimit të strukturës drejtuese të RTK-së, Bordit dhe menaxhmentit të cilët juridikisht kanë ndërtuar themelet e festivalit, ndër të tjera duke e krijuar rregullativën e nevojshme.

Sponsor gjeneral i Festivalit të Këngës është Auto Sherreti.