Kryetari i Bordit të RTK-së, Besnik Boletini, bashkë me nënkryetaren, Arta Berisha dhe anëtaret Fatime Lumi-Qehaja e Albulena Mehmeti vizituan sallën ku do të mbahet Festivali i parë i Këngës në RTK dhe panë për së afërmi punët që janë duke u kryer.

Ata u takuan edhe me drejtorin artistik të festivalit, Florent Boshnjaku, ku u informuan për përgatitjet artistike të festivalit. Boletini gjatë takimit ka theksuar se transformimi i sallës ku do të mbahen tre netët e festivalit është kryer ashtu si duhet, ndërkaq sipas tij, gjithë projekti është ballafaquar me sfida të shumta.

“Në këtë sallë kur kam qenë për herë të parë me Adin, ka qenë në gjendje tepër të keqe, por kemi qenë të bindur se kjo sallë do të bëhet. Tani kjo sallë është bërë e mrekullueshme. Ka qenë qëllim primar që festivali të mbahet në qendër të qytetit. I gjithë ky projekt ka pasur sfida të shumta që nga fillimi, por të cilat janë tejkaluar bashkarisht, që nga sigurimi i mjeteve financiare, krijimi i rregullativës ligjore e deri të çështjet tjera organizative”, ka thënë Boletini.