
Vetëm edhe një ditë na ndan nga nata e parë e Festivalit të Këngës në Radiotelevizionin e Kosovës.
Përgatitjet për nisjen e Festivalit të parë të Këngës në Kosovë po shkojnë drejt fundit. Orkestra e themeluar për këtë ngjarje, bashkë me 18 artistët konkurrues të edicionit të parë, janë zhvendosur me prova në hapësirën e Pallatit të Rinisë.
Flora Masurica Durmishi nga RTK tha se përgatitjet për festival janë drejt fundit.
“Po bëhen provat gjenerale, besoj që sonte deri diku vonë do të përfundojë prova gjenerale dhe nesër do të jemi të gatshëm për të transmetuar këtë festë të bukur”, tha ajo sot në INFO Plus në RTK.
Ajo tha se festival të këtyre përmasave nuk ka pasur deri tani në Kosovë.
Ndryshe Festivali, përveç programit garues dhe me mysafirë me këngëtarë të dëshmuar të skenës vendore, do të ofrojë edhe program televiziv me panelistë, të cilët do ta komentojnë edicionin e parë.
Ekranet e shikuesve të RTK-së do të shoqërohen nga “Post – Festivali”, i cili do të jetë ballafaqim opinionesh me personalitete të ndryshme. Më 26 dhe 27 tetor, menjëherë pas mbarimit të programit qendror, do të komentohen këngët, paraqitjet skenike, veshjet dhe çdo detaj tjetër.
Ndërkaq, një program maratonik prej gati pesë orësh do të transmetohet në RTK më 29 tetor, një ditë pas mbarimit të edicionit të parë. Tri netët e festivalit do të transmetohen drejtpërdrejt në RTK, RTSH dhe në Radiotelevizionin e Maqedonisë së Veriut, duke filluar nga ora 21.