
Panelistët në “Post Festival” pak çaste pas mbarimit të mbrëmjes së parë të Festivalit të Këngës në RTK, vlerësuan njëzëri se skenës kulturore në vendin tonë i është dashur qysh moti një adresë e tillë garuese.
Këngëtarja Adelina Thaçi – Meta ka thënë se artistët kanë pritur gjatë për ekzistencën e një festivali ku do të mund të shpaloseshin talentet e reja.
“Ne si këngëtarë të festivaleve e kemi pritur tash e sa kohë të ndodhë vazhdimësia e Akordeve të Kosovës, e sot ndodhi Festivali i Këngës në RTK. Më duhet ta përgëzoj RTK-në dhe bashkëpunëtorët e tij, sepse ky vend, kjo skenë është për këngëtarë. Natyrisht prej kësaj skene dalin edhe talentë të ndryshëm e për mua ishte emocion i veçantë”, ka thënë Thaçi – Meta.
Korrespodenti i BBC-së, Nazmi Rashidi tha se mbrëmja e sotme do të mbetet në mendjen e të gjithë shqiptarëve.
“Në vitet e 90-ta në festivalet e Shqipërisë prurje të mëdha sollën këngëtarët e Kosovës. Ishte shumë e rëndësishme kur këngëtarët e Kosovës shkonin në Shqipëri, por sonte ndodhi diçka tjetër e bukur, një festival tjetër i bukur pikërisht që vjen nga Prishtina”, ka thënë Rashidi.
Ish-gazetari i RTK-së, Benet Kaçi, tha se ky ishte një rikthim spektakli në ekranin e transmetuesit publik.
Ndërkaq, Xheraldina Maria tha se Kosova edhe pse ka pasur festivalin më të madh mbarëshqiptar para 54 viteve, në anën tjetër ka mbetur 30 vite pa një festival të mirëfilltë.
“Kjo që ka ndodhur sonte është një tendencë që t’i kthehemi vendit që e kemi pasur në kulturën dhe artin mbarëkombëtar”, tha ajo.
Shkrimtari Albatros Rexhaj në “Post Festival” tha se organizimi ka pasur nivel.
“Festivali ma la përshtypjen se si organizim kishte shumë klas. Ka arritur që ta mbrojë organizimin prej tendencës që patjetër të eksperimentohet me gjithçka. Mendoj që në organizime të tilla duhet të mbahet një nivel i klasit. Kjo për mua është emocion”, ka thënë Rexhaj.
Aktori Edi Krasta tha se RTK ka dëshmuar se vendit i duhen organizime të tilla.
“U dëshmua sonte se RTK si medium publik mund ta bëj një gjë të tillë dhe se organizimet duhet patjetër të jenë nën patronazhin e shtetit. Por pata dëshirë që konkurrentët t’i shihja të kenë dëshirë për të konkurruar”, ka thënë Krasta.
Adriana Morina nga RTK e cilësoi Festivalin e Këngës së iniciativë të duhur.
“Besoj që ky festival do ta filtrojë muzikën që kultivohet te ne, një mundësi e mirë e etablimit të artistëve të cilët nuk patën rastin të dalin në ‘spotlight’, promovim i mirë përveç këngëtarëve edhe orkestruesve, tekstshkruesve e të tjerëve”, tha Morina.