
Pak orë para se të nisë edicioni i parë i Festivalit të Këngës në Radio Televizionin e Kosovës gjithçka është gati. Nga një hapësirë e djegur dhe e braktisur, salla e madhe e Pallatit të Rinisë tashmë është shndërruar në hapësirë ku do të burojë muzika shqipe.
Gazetarja e Radio Televizionit të Kosovës, Dafina Smajli, në një lidhje të drejtpërdrejtë për “Info Plus” ka treguar se tashmë janë rezervuar të gjitha biletat e natës së parë të festivalit.
“Kapaciteti i ulëseve të kësaj salle është 1700 dhe sapo kam marrë konfirmimin se të gjitha ulëset për natën e parë janë të rezeveruara. Kurse kanë mbetur edhe shumë pak vende për natën e dytë dhe finalen”, ka thënë Smajli.
Sonte duke filluar nga ora 20:00 do të fillojë transmetimi i tapetit të kuq, ku të ftuarit dhe mysafirët mund të hyjnë në sallë deri në orën 20:30. Ndërkaq, duke filluar nga ora 21:00 do të nisë zyrtarisht edicioni i parë, ku do të garojnë 18 artistë.
Krahas tyre, RTK është përkujdesur për programin me mysafirë, ku do të performojnë këngëtarë të njohur nga Kosova e Shqipëria. E pas orës 23:00 do të nisë ‘Post Festivali’, program ky që në formë paneli, nëpërmjet të cilit do të komentohen dhe do të analizohen këngët pjesëmarrëse dhe gjithçka tjetër rreth festivalit.