
Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi dhe portieri i Kombëtares dardane, Samir Ujkani kanë defiluar në tapetin e kuq në mesin e shumë mysafirëve tjerë në prag të natës së dytë të Festivalit të Këngës në RTK.
Ata të dy vlerësuan këtë organizim si një ngjarje shumë të rëndësishme për kulturën dhe muzikën shqiptare.
“Më në fund mas 24 vitesh po ndodh një ngjarje e madhe, një organizim fantastik dhe performanca të mira muzikore. Sigurisht edhe netët në vazhdium do të dëgjojmë muzikë të mirë. Shumë mirë që ndodhi ky festival dhe shpresoj do të arrihet atje ku e kemi synim – pjesëmarrjen në Eurosong. Sot kam ardhur me kapitenin e Kombëtares, Samir Ujkani dhe Muharrem Sahitin për ta përfaqësuar futbollin në këtë ngjarje madhështore”, ka thënë i pari i futbollit kosovar.
Ndërkaq, portieri i Dardanëve është shprehur i lumtur që është pjesëmarrës i kësaj mbrëmje: “Është kënaqësi e madhe që jam pjesë e këtij festivali. Është shumë bukur, po më pëlqen shumë. Dje ishte fantastike dhe besoj se do të kalojmë edhe më mirë. Normalisht se muzika na motivon dhe para ndeshjeve gjithmonë dëgjojmë muzikë shqiptare”, ka thënë Ujkani.
