
Pak çaste pas shpalljes së 10 këngëve finaliste të edicionit të parë të Festivalit të Këngës në RTK, programi “Post Festivali” konfrontoi mendimet e opinionistëve për kualitetin e këndimit në natën e dytë krahasuar me atë të natës së parë, por edhe për çështjen e emërtimit të festivalit si dhe cilësinë e këngëve pjesëmarrëse në edicionin e parë.
Panelistët: Repriza më e mirë se premiera
Rikëndimi i 18 këngëve garuese në natën e dytë të Festivalit të Këngës pavarësisht që në fillim u duk si një reprizë e natës së parë, nga panelistët e “Post Festivalit” u vlerësua si vendim i duhur nga organizatorët. Ata njëzëri u pajtuan se performanca e konkurrentëve në natën e dytë ishte dukshëm më e mirë në mënyrë interpretative, por edhe kushtet teknike ishin praktikisht më të mira.
“Sonte kam qenë në sallë por kualiteti intepretativ ishte shumë më i mire sesa mbrëmë. Besoj që janë shumë faktor që kanë ndikuar. Këngëtarëve ju ka ndihmuar ndoshta dëgjimi i vetes, pastaj besoj që edhe teknika ka qenë më e përfshirë në disa gjëra të tjera. Qasja e tyre në kuadër të kompozimit që përfaqësonin por edhe në aspektin emocional, sonte ka qenë më me kompetencë. Si profesioniste e vokalit dua të them se kam qenë shumë e kënaqur me laramaninë në vokal dhe jo nënshtrimin në atë se çka dëgjohet në treg”, tha sopranoja Adelina Paloja.
Të njëjtin mendim e pati edhe menaxheri i Filharmonisë së Kosovës, Dardan Selimaj.
“Më erdhi mirë që festivali ka vendosur t’i përsërisë në dy netët e tij të gjithë konkurrentët, diçka që s’mund ta hasim në festivalet e natyrave të tilla por unë mendoj që në rastin konkret ka qenë vendim i duhur”, tha ai.
Dramaturgu Arian Krasniqi tërheqi paralele me teatrin, duke bërë krahasim mes dy netëve.
“Ka një lloj evoluimi në këndim, në një paralele krahasimi me teatër e themi që gjithmonë reprizat janë më të mira sesa premierat në kuptimin interpretues”, tha Krasniqi.
Edhe dizejnatorja, Enkelejda Shatri pranoi se këngëtarët kanë qenë emocionalisht më të çliruar në skenë në natën e dytë.
“Një pjesë e këngëtarëve janë edhe të rinj për skena kaq të mëdha. Sot ishin më të ngrohtë, më të çliruar, emocionet ishin më të bukura sonte”, tha Shatri.
Historia e Akordeve të Kosovës dhe faqja e re e Festivalit të Këngës
Kompozitori Xhevdet Gashi ka çmuar faktin e rikthimit të një festivali, i cili pritet të shndërrohet në adresë artistike për talentët e rinj. Mirëpo, Gashi ka ngritur paralele mes “Akordeve të Kosovës” dhe mirënjohjes që duhet t’i jepet kësaj ngjarje disa vjeçare.
“Është edicioni i parë i rivazhdimit të traditës, natyrisht që siç ka qenë përpara që autorët dhe kompozitorët kanë jetuar mes dy festivaleve, duhet të kthehet prapë ajo atmosferë. Në këtë edicion ka pasur shumë këngë të bukura, por megjithatë nuk ka qenë kapaciteti krijues i Kosovës”, ka thënë Gashi.
Këngëtarja, Adelina Thaçi – Meta, ka thënë se festivali do të duhej ta gëzonte emrin e “Akordeve të Kosovës”, si vazhdimësi e traditës.
Asaj iu bashkuan në këtë mendim edhe Selimaj dhe Krasniqi. “Është shumë e rëndësishme me u përmend që jo gjithçka fillon tash, me përmend që Akordet e Kosovës kanë pasur një histori, kjo është vazhdimësi e një tradite, por që tash ajo traditë do të quhet Festivali i Këngës”, ka thënë Dardan Selimaj.
“Ndaj bindjen që ne mund të vazhdojmë të organizojmë manifestime të tilla, por gjithmonë në respektim dhe dedikim të meritave të paharrueshme për atë çfarë është bërë vitet e kaluara, duke përfshirë edhe Akordet e Kosovës. Ne duhet ta themi me zë që Kosova dikur e ka pasur festivalin, por shumë mirë që tashmë e ka festivalin aktual”, ka shtuar dramaturgu Arian Krasniqi.
Kapaciteti krijues i Kosovës përballë kushteve të organizimit
Kompozitori Xhevdet Gashi ka thënë se pavarësisht laramanisë së këngëve të edicionit të parë, Kosova ka edhe më shumë talent. Sipas tij, duhet gjetur forma për tërheqje të konkurrentëve më cilësor.
“Për një kompozitor me eksperiencë, çka është ajo që e tërheq me marrë pjesë në një festival? Organizatori në edicionet e ardhshme duhet t’i mendoj mënyrat si të tërhiqen kompozitorët të konkurrojnë në festival. Dihet që glamuri është i mirë, por përmbajtja e festivalit është kënga. Nëse nuk ka këngë, ky glamur duket keq, pa përmbajtje”, ka thënë kompozitori Gashi.
Thaçi – Meta ka përmendur edhe kushtet financiare të artistëve garues. Ka shtuar se Kosova ka potencial që në të ardhmen mund të bëhet pjesë e garës evropiane të këndimit “Euro Song”.
“Ka shumë talent të rinj që s’kanë mundësi financiare për të bërë një këngë, për të qenë pjesë e festivalit. Mendoj që kemi shumë potencial, shumë kompozitor, kur kemi qenë dikur pjesë e festivaleve ballkanike edhe më gjerë, pse të mos shkojmë tash në ‘EuroSong”, ka thënë ajo.
Dhjetë këngët e përzgjedhura drejt finales janë Albin Nikprelaj me këngën “Ajo”, Auron Deva me “Çmimi i dashnisë”, Angus Dei me “Një zemër për dy”, La Fazani me “Oj Kosovë”, Urban Band me “Ëndrrat s’kanë faj”, Nita Latifi me “Marrëzi”, Neki Emra me “Heroi im”, Hilmi Obertinca me “Pa ty s’më rrihet”, Saranda Alija me “Mendoj ku je” dhe Klea Dina me “Trenat”.
Nesër do të bëhet përzgjedhja e këngës fituese të edicionit të parë të Festivalit të Këngës. Juria në përbërje: Alma Bektashi, kryetare dhe anëtarët Ulja Sjostrom nga Suedia, Adi Hila, kompozitor nga Tirana, këngëtari Alban Nimani dhe artistja e arteve pamore, Zake Prelvukaj do të zgjedhë se kujt do t’i takojë çmimi i parë.
Programi “Post Festival” do të transmetohet të dielën, një ditë pas shpalljes së fituesit/fitueses së Festivalit të Këngës në RTK.