
Drejtori Artistik i Festivalit të Këngës në RTK, Florent Boshnjaku, në edicionin special televiziv, ka thënë se Kosova ka dëshmuar veten muzikalisht dhe meriton një festival të tillë.
Boshnjaku bëri të ditur se si ekip orkestral, thuaja, 95 për qind është e njëjtë me festivalin paraprak.
“Shpresoj se Festivali do të ketë jetëgjatësi dhe normalisht kjo tregon se kemi njerëz të përgatitur në këtë vend”, tha Boshnjaku.
Tutje, Boshnjaku u ndal në detaje të punës së ekipit orkestral. Ai foli për sfidat organizative, si zërimi përballë hapësirës.
“Jemi duke folur për një sallë të djegur dhe për ta sjellë në këtë nivel, për të mbajtur një festival, është me të vërtetë e jashtëzakonshme. Secili njeri që merret me muzikë e meriton një sallë të bukur, një sallë siç i ka hije Kosovës”, ka bërë thirrje ai.
Boshnjaku ka ndarë detaje nga përgatitjet finale, duke thënë se artistët kanë qenë korrekt gjatë gjithë kohës, teksa organizatorët kanë përmbushur kërkesat e tyre.
“Tani jemi në fazën finale, jemi shumë afër festivalit dhe ka mbetur, thjeshtë për ta shijuar”, tha Boshnjaku, teksa sqaroi rëndësinë e organizmit të festivalit, që është një sipërmarrje shumë e madhe, e cila përbrenda tij përfshinë shumë njerëz dhe në rast të ngecjes së ndonjë hallke, ngec i tërë festivali.
“Kemi dëshmuar se jemi të mirë në muzikë dhe meritojmë të kemi festival”, tha në fund Boshnjaku.