Festivali i Këngës në RTK ka hapur thirrjen për akreditimin medial për ndjekjen e edicionit të tretë.
Drejtori i Festivalit, Rilind Gërvalla, ka thënë se nëpërmjet kësaj ngjarje po ndjeket një ëndërr, teksa ka bërë thirrje për të gjitha mediat nga trevat shqiptare për mbulimin e tri netëve muzikore.
“Sot, pas shumë viteve, jemi shumë media, e ne si RTK po i ndjekim pikërisht ato ëndrra që dikur i kishim shkruar në letra, në skenarë, në këngë, përkundër dhjetë viteve terr mediatik. Dhe një nga ato vazhdimësitë po bëhet realitet: Festivali i Këngës në RTK! Kjo është ëndrra juaj, që ne po e vëmë në skenë me dritë, tinguj dhe pak adrenalinë, drejtpërdrejt! Prandaj, ftojmë të gjitha mediat nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, “Luginë e Preshevës” dhe Mali i Zi që të jenë pjesë e këtij rrugëtimi festiv”, ka shkruar Gërvalla.
Akreditimi për media mund të bëhet duke dërguar email në: [email protected]