Vetëm edhe një ditë na ndan nga nata e parë e Festivalit të Këngës në Radiotelevizionin e Kosovës. Përgatitjet për nisjen e festivalit të parë të këngës në Kosovë po shkojnë drejt fundit. Orkestra e themeluar për këtë ngjarje, bashkë me 18 artistët konkurrues të edicionit të parë, janë zhvendosur me prova në hapësirën e Pallatit të Rinisë.

Drejtori i Televizionit të Kosovës, Rilind Gërvalla, tha se kanë punuar shumë për këtë organizim.

“Do të sjellim një produkt të jashtëzakonsëm që do të jetë festë për tërë Kosovën. Ky festival është një ngjarje e jashtëzakonshme, është nisur për të filluar në një farë forme edhe negociatat për anëtarësimin tonë në EBU dhe Eurosong”, tha ai. Gërvalla bëri me dije se kanë bashkëpunuar me Komunën e Prishtinës, për të realizuar këtë projekt që është shumë me rëndësi për Kosovën. Ai ka përmendur mbështetjen që kanë dhënë televizionet e rajonit për festivalin e RTK-së.

“Ne jemi përpjekur që të ndihmojmë Radio Televizionin Shqiptarë me këngëtar të ndryshëm që kanë ardhur nga Kosova, kjo nuk do të thotë që ne jemi duke i bërë karshillëk krahas Festivalit të Këngës, sepse natyrisht ai është më jetë gjatë më shumë se festivali jonë por në po mundohemi që të sjellim bashkërisht një produkt që i ngjason atij të Eurvisionit”, tha ai.

Sipas tij bashkëpunimi ka qenë absolutisht në nivelin e duhur si me kryetarin e Prishtinës Përparim Ramën, si me drejtoreshën e Pallatit të Rinisë Mrika Gashin të cilët kanë ndihmuar jashtëzakonisht shumë, që të realizohet e gjithë skena aty siç ishte me ndërmarrje të ndryshme që i takojnë komunës së Prishtinës.

“Ne jemi përpjekur që të bashkëpunojmë edhe me EBU edhe me Radio Televizionin e Malit të Zi që na kanë ndihmuar me disa të prej pajisjeve, kështu që pa bashkëpunimin lokal edhe qendrorë me ndihmën e Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sporteve me subvencionet që na kanë dhënë për të realizuar këtë festival, me marrëdhëniet e ngushta me të gjitha televizionet e rajonale kjo ka ardhur deri te bashkëpunimi i frytshëm dhe uroj që nesër qytetarët e Kosovë  të dëgjojnë këngë të mrekullueshme 18 prej tyre ne si menaxhment nuk kemi arritur ti dëgjojmë ato por nesër bashkë do ti dëgjojmë”, tha ai.