
Gjashtë ditë para nisjes së edicionit të tretë, organizatorët e Festivalit të Këngës kanë shpalosur detajet e organizimit. Është premtuar ngritje e cilësisë, mysafirë të njohur, spektakël televiziv e mirënjohje për muzikantët e muzikës së mirëfilltë.
Drejtori i Festivalit të Këngës, Rilind Gërvalla ka thënë se sivjet është një qasje e re organizuese. Ka përmendur se gjithçka që do të shihet në skenë do të jetë prodhim i drejtpërdrejtë i RTK-së.
“Në tri netët festive në kryeqytet do t’i dëgjojmë zërat e të rinjve që lind nga tradita por shkon drejt së ardhmes”, ka thënë ai.
Gërvalla: EBU na përcjellë me vëmendje, të kënaqur me Festivalin
Gërvalla ka thënë se sipas tij, me organizimin e dy edicioneve kanë dëshmuar që janë gati për pjesëmarrje në garën evropiane të këndimit, “Euro Song”.
“E kemi dëshmuar se Kosova është gati për ‘Euro Song’. Këtë vit ka ndodhur një konflikt i ashpër që po vazhdon përkundër armëpushimit me Gazën. Ne e kemi një fazë tjetër në Asamblenë e EBU-së ku përqendrimi kryesor është te prania apo përjashtimi i Izraelit. Por, ne në të gjitha takimet që kemi pasur me EBU-në, edhe këtë të fundit në Bruksel, ju siguroj që ata na përcjellin me shumë vëmendje dhe janë të kënaqur e të mahnitur që një vend i ri, me kulturë, me një televizion publik me gjendje të rënduar financiare ka arritur kaq shpejt”, ka thënë ai.
Gërvalla është pyetur për buxhetin e edicionit të katërt të Festivalit të Këngës, meqenëse memorandumi me MKRS-në parasheh organizimin tre vjeçar të ngjarjes. Ai ka thënë se organizimi i vitit të katërt është në planifikimin buxhetor të transmetuesit publik për vitin e ardhshëm.
Boshnjaku: Kemi krijuar diçka te jashtëzakonshme për këtë vend
Në anën tjetër drejtori artistik i ngjarjes, Florent Boshnjaku ka thënë se kanë arritur të ndërtojnë një platformë artistike e teknike për artistët.
“Festivali i Këngës është krijuar si institucion, është diçka e jashtëzakonshme. Jam jashtëzakonisht i lumtur që jam pjesë e krijimit të këtij institucioni. Kemi arritur të krijojmë diçka te jashtëzakonshme për këtë vend”, ka thënë ai.
Salihu: Do të fokusohemi te muzika, sivjet ka retrospektivë
Skenaristi i “FEST 3”, Genc Salihu ka thënë se sivjet ka pjesëmarrje më cilësore, duke përmendur këngëtarët garues dhe kompozimet. Ai ka thënë se kjo dëshmon që është rritur besueshmëria për ngjarjen.
“I kemi stiluar dy elemente që do ta dallojnë këtë edicion nga të tjerat, njëra është që do të kemi më pak fokus në elemente dramaturgjike recitative dhe do të fokusohemi te muzika. Elementi tjetër me i rëndësishëm qe do ta përcjell Festivalin në edicionet e ardhshme është që ne e kemi identifikuar si nevoje që Festivali i Këngës ta jep një retrospektivë dhe ta nderojë e jap mirënjohje për historinë e fushës së këngës në Kosovë”, ka thënë ai.
Salihu më tej ka përmendur edhe nismën që nga ky vit do të ndahet Çmimi për Vepër Jetësore, “Okarina e Artë” për dikë që ka rrugëtuar muzikalisht shumë vite.
Pjesë e konferencës ishin edhe moderatorët e sivjetëm, Rina Krasniqi e Dukagjin Podrimaj të cilët ndanë pritshmëritë e tyre për organizimin e sivjetëm.
Një program maratonik televiziv i pret gjithë shikuesit e RTK-së përgjatë tri netëve të edicionit të tretë të ngjarjes. Ndërkaq edhe rezervimet e biletave për të përcjellë nga afër netët e spektaklit kanë nisur. 6, 7 dhe 8 nëntor janë datat e festës muzikore në Prishtinë. 20 artistë sivjet me zërat e tyre janë në garë për 5 çmimet e festivalit, teksa sivjet do të nderohet një artist për vepër jetësore me çmimin “Okarina e Artë”.