Sekretari i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Bislim Bislimi, ka vizituar sot sallën ku po zhvillohen punimet për përgatitjen e Festivalit të Këngës, i cili do të mbahet më 6, 7 dhe 8 nëntor në Radiotelevizionin e Kosovës (RTK).
Gjatë vizitës, sekretari Bislimi u njoftua nga drejtori i Festivalit të Këngës në RTK, Rilind Gërvalla, për ecurinë e përgatitjeve dhe ndërtimin e skenografisë së re, gjigante dhe moderne, që po realizohet për edicionin e tretë të festivalit.
Drejtori Gërvalla tha se ky edicion po sjell standarde të reja artistike dhe teknike, duke reflektuar përkushtimin e RTK-së për të ngritur cilësinë e prodhimeve kulturore.
Sekretari Bislimi, nga ana e tij, përgëzoi drejtuesit dhe ekipin organizativ për punën e madhe që po bëhet, duke e cilësuar Festivalin e Këngës si njërën prej ngjarjeve më të rëndësishme kulturore në vend.
Ai theksoi se Ministria e Kulturës do të vazhdojë ta mbështesë Festivalin e Këngës dhe projektet që promovojnë artin dhe trashëgiminë muzikore të Kosovës.
Sipas tij, bashkëpunimi mes RTK-së dhe Ministrisë së Kulturës do të zgjerohet edhe më tej, duke forcuar partneritetin institucional për zhvillimin e këtij evenimenti tradicional që bashkon artistët dhe publikun në një festë të madhe muzikore.
Ndërkohë, nga viti i ardhshëm, RTK – krahas Festivalit të Këngës – do të nisë edhe Festivalin Garues për Fëmijë, një projekt i ri kulturor që synon të kultivojë talentin dhe krijimtarinë e brezave të rinj.
Këto iniciativa, u theksua gjatë vizitës, përbëjnë shtylla të rëndësishme në vizionin e transmetuesit publik për promovimin dhe zhvillimin e kulturës në Kosovë.
