(E plotësuar) Edhe nata e dytë e Festivalit të Këngës në RTK ka sjellur emocione të shumta për publikun e pranishëm dhe për teleshikuesit kudo në trojet shqiptare dhe në diasporë përmes transmetimit direkt në Radiotelevizionin e Kosovës, Radiotelevizionin Shqiptar dhe Radiotelevizionin e Maqedonisë së Veriut në kanalin e dytë, por edhe përmes platformave online të RTK-së. Ndërkohë, 18 garuesit e këtij festivali riperformuan përplot emocion këngë pas kënge.

Me ‘Shumë herë më nervozojnë’ mbyllet gara e natës së dytë

Kënga e fundit e mbrëmjes së dytë të edicionit të parë ishte “Shumë here më nervozojnë”.

Në mesin e 18 artistëve garues, këngën e solli  Agron Krasniqi – InorgA, i cili e ka kompozuar dhe shkruar këngën.

‘Dukat’ në skenë nga Arbana Zahiti

Kënga e parafundit për sonte është “Dukat” nga Arbana Zahiti.

Zahiti e ka shkruar dhe kompozuar vet këngën me të cilën po prezantohet në Festivalin e Këngës në RTK.

Nata e dytë drejt fundit, këndon Albin Nikprelaj

Dalë ngadalë mbrëmja e dytë e Festivalit të Këngës në RTK po vjen drejt përmbylljes. Në radhë ishte konkurrenti i gjashtëmbëdhjetë, Albin Nikprelaj. Ai u prezantua me këngën “Ajo”, kompozimin e së cilës e ka realizuar Enis Mullaj, ndërkaq teksti është shkruar nga Eriona Rushiti.

Kënga e pesëmbëdhjetë në radhë, këndon Angus Dei

Kënga e pesëmbëdhjetë në natën e dytë të Festivalit të Këngës ka qenë “Një zemër për dy”.

Ajo është kënduar nga konkurrentja Angus Dei. Kompozimin dhe tekstin e kësaj kënge e ka bërë Erjon Zaloshnja.

Ariela Krasniqi këndon ‘Emri Grua’

Ariela Krasniqi është konkurrentja tjetër e edicionit të parë në Festivalin e Këngës në RTK.

“Emri grua” quhet kënga me të cilën ajo po prezantohet në edicionin e parë të Festivalit të Këngës. Kjo këngë është kompozuar dhe shkruar nga Gjergj Jorgaqi.

‘Çmimi i dashnisë’ vjen nga Auron Deva

Kënga e trembëdhjetë e Festivalit të Këngës në RTK është “Çmimi i dashnisë”.

Kënga është realizuar nga kompozitori dhe tekstshkruesi Korab Shaqiri.

Ermal Demiri prezanton këngën ‘Merri’

Konkurrenti i radhës sonte në Festivalin e Këngës në RTK është Ermal Demiri.

Ai po prezantohet para publikut dhe shikuesve të Radiotelevizionit të Kosovës me këngën “Merri”. Kënga është e kompozuar nga Gëzim Hasani dhe me tekstshkruese Gentiana Azizi.

‘Oj Kosovë’ vjen nga La Fazani

Artisti i njohur me nofkën artistike “La fazani” është prezantuar me këngën “Oj Kosovë”. Pjesa muzikore dhe tekstuale është nën autorësinë e tij.

‘Heroi im’, kënga e dhjetë e mbrëmjes sonte

Kënga e dhjetë e mbrëmjes së dytë të Festivalit të Këngës është “Heroi im”.

Neki Emra e sjellë dedikim për babain e tij në RTK, teksa është marrë vet me kompozimin dhe tekstin e këngës.

Me ‘Vetes’ garon Vjosa Shehu

Kënga e nëntë sonte është “Vetes” nga Vjosa Shehu.

Ajo u paraqit me këtë këngë, e cila është me produksion nga Lorenzo Kobina.

Teuta Statovci garon me ‘Sekreti i tij’

Teuta Statovci po prezantohet në Festivalin e Këngës me këngën “Sekreti i tij”.

Ajo po paraqet kompozimin e Dardan Gjinollit dhe tekstin e Yll Limanit e Art Abazit.

Klea Dina përfaqësohet me ‘Trenat’

Konkurrentja e shtatë e mbrëmjes së dytë ishte Klea Dina.

Ajo solli këngën “Trenat” , e cila është kompozuar nga Memli Kelmendi e shkruar nga Drenusha Zajmi.

Mentor Mripa performon ‘Po ju rrëfehem’

Mentor Mripa ishte konkurrenti i gjashtë i mbrëmjes, i cili solli këngën “Po ju rrëfehem”.  Ai po prezanton këngën e cila është me orkestrim të Rizah Dolakut dhe me tekst të Bekim Bislimit.

Saranda Alija këndon ‘Mendoj ku je’

Konkurrentja e pestë e mbrëmjes së dytë të Festivalit të Këngës, Saranda Alija ka performuar këngën e saj. Ajo po garon me veprën “Mendoj ku je”, e cila është kompozuar dhe shkruar nga Arbër Krasniqi.

Franc Koruni paraqitet me këngën ‘Shqip’

Franc Koruni është konkurrenti i katërt i edicionit të parë të Festivalit të Këngës.

Ai u prezantua në skenë nga pjesëtarët e FSK-së me këngën “Shqip”, të shkruar e kompozuar nga vet ai.

Hilmi Obertinca garon me ‘Pa ty s’më rrihet’

Hilmi Obertinca është garuesi i tretë i Festivalit të Këngës në RTK. Obertinca prezantohet me këngën “Pa ty s’më rrihet”. Kompozimi dhe teksti është nën autorësi të tij.

Nita Latifi performon ‘Marrëzi’ Nita

Latifi është konkurrentja e dytë sonte. Ajo prezantuar në Festivalin e Këngës me veprën “Marrëzi”. Ajo ka kënduar këngën që e ka kompozuar e shkruar vet. Ndërkaq, orkestra është udhëhequr nga Alfred Kaçinari.

Nis programi garues, Urban Band ngjitet në skenën e Festivalit

Konkurrenti i parë i mbrëmjes së dytë të Festivalit të Këngës ishte Urban Band.

Ata u prezantuan nga dy zyrtarët e Policisë së Kosovës, Natyra Arifi dhe Erdoan Rexhepi.

Urban Band garon me këngën “Ëndrrat s’kanë faj”. Ata po marrin pjesë në këtë festival me kompozimin muzikor të Klodian Regxhepaj.

Nis nata e dytë e Festivalit të Këngës në RTK

Ka nisur nata e dytë e Festivalit të Këngës në RTK në sallën e madhe të Pallatit të Rinisë në kryeqytet. Në hapje të kësaj mbrëmje në skenë është ngjitur këngëtarja e njohur nga Shqipëria, Anjeza Shahini, e cila është përfaqësuesja e parë e Shqipërisë në “Eurosong”.

“Kënaqësi shumë e madhe të jem sot këtu në këtë skenë në një ngjarje kaq të madhe për kulturën dhe muzikën shqiptare”, ka thënë ajo pasi u ngjit në skenë, teksa po performon me këngët e dy divave të muzikës shqiptare, Vaçe Zela dhe Nexhmije Pagarusha.