
Kryetari i Bordit të RTK-së, Besnik Boletini, ka folur rreth organizimit të Festivalit të Këngës në Radio Televizionin e Kosovës, i cili do të fillojë sot.
“Kur është nënshkruar memorandum është menduar për një festival të madh siç është ky dhe gjithë shuma e memorandumit i është dedikuar këtij festivali të madh të këngës i cili do të ndodhë për herë të parë dhe është historik”, tha ai në një intervistë për RTK. Boletini tha se është shumë i lumtur që si Bord kanë këmbëngulur që kjo të realizohet .
“Jemi sonte këtu një natë para nisjes, ku të gjitha përgatitjet janë bërë dhe gjithçka ka shkuar mirë. Prej muajit shkurt ka qenë një sfidë shumë e madhe për disa aspekte, sepse së pari është dashur të bëhet rregullimi ligjor me legjislacion sekondar”, tha ai dje nga hapësira e Festivalit.
Sipas kreut të Bordit të RTK-së, është hera e parë e ka pasur shumë situata të reja, që është dashur t’i zgjidhim.
“Kemi qenë në kontakt të vazhdueshëm me drejtorin e përgjithshëm edhe me drejtorin e festivalit, ka qenë gati temë ditore e diskutimeve, e-maila, telefonata se si t’u qasemi shumë problemeve, sepse ishte hera e parë, por tash ne kemi një bazë e cila do të shërbejë në vazhdim vitin tjetër, pra do ta kemi shumë më lehtë, sepse siç e parasheh memorandumi së paku edhe dy vjet tjera ta kemi festivalin”, tha ai.
Ai shpreson që prej kontaktit të fundit që e ka pasur si RTK me EBU-në gjasat janë të mira që festivali tjetër ta ketë fituesin e festivalit në Evrovizion.
“Kemi punuar e lobuar shumë për këtë dhe ta shohim për këtë herë nëse do të mund të arrihet diçka në raport me EBU-në por kjo mbetet të shihet në ditët në vazhdim”, tha ai.