
Pak çaste pas përzgjedhjes së nëntë këngëve finaliste të edicionit të dytë të Festivalit të Këngës në RTK, panelistët e “Post Festivalit” komentuan vendimin e jurisë dhe gjithçka tjetër rreth kësaj mbrëmje.
“Mendoj që juria ka bërë një përzgjedhje duke u bazuar jo veç në parametra muzikor, por edhe të tekstit, muzikës, orkestrimit. Kur e shohim nga këndvështrime të ndryshme, sigurisht se pajtohesh me zgjedhjen e tyre. Ata kanë tentuar të zgjedhin këngë me përcjellje të mesazheve të ndryshme”, tha muzikologia Kristina Palokaj.
Pianistja Pranvera Hoxha ka thënë se pret përmirësim të festivalit në aspektin e konkurrencës vokale.
“Çka dallova është se kanë shikuar përfshirje të zhanreve të ndryshme, me pas laramani edhe në natën finale që juria ta ketë më të lehtë”, ka thënë Hoxha.
Aktori Alban Goranci vlerësoi se kjo përzgjedhje është bërë duke respektuar laramaninë e zhanreve, temave, motiveve.
“Në edicionin e kaluar ka pasur këngë të bukura e këngëtarë të mirë, që ende i dëgjoj dhe më pëlqejnë. Mirëpo edhe ky edicion ishte mjaft i bukur, pati këngë, këngëtarë dhe zhanre ndryshe nga njëra – tjetra”, ka thënë baritoni Harris Bajraktari në “Post Festival” të RTK-së.
Muzikanti Ertan Iliza vlerësoi, sipas tij, përmirësimet e performancës, teknologjisë e sallës. “Kur e pashë sallën u ndjeva shumë mirë sepse është detaj i rëndësishëm për artistët, ndjenja e tyre e rrit cilësinë e këngës”, tha ai.
“Këtë vit e kam ndjerë që ka qenë një organizim shumë më i madh sa i përket pjesës teknike, skenografisë dhe gjithçka tjetër. Mirëpo sipas meje, sa i përket performancave ka pasur mangësi. Të gjitha këngët janë performuar pa koreografi, duke e ditur që vallëzimi dhe kënga janë të lidhura”, vlerësoi balerina Behie Murtezi.
Ndërkaq disenjatorja Valdete Mustafa tha se ka pasur pritshmëri më të mëdha sa i përket kostumografisë, duke theksuar se kanë munguar veshje më skenike dhe ekstravagante.