Përtej programit artistik, Festivali i Këngës i ka dhënë hapësirë edhe gazetareve të RTK-së, të cilat përkundër sulmeve dhe rrezikut nga bandat kriminale në veri të Mitrovicës, kanë qenë në gatishmëri të raportimit për publikun, duke rrezikuar shpesh edhe jetën e tyre.

Venera Xhoxhaj, Arlinda Sejda, Edina Avdiu dhe Elmina Osmani janë gazetaret e RTK-së të cilat ndanë copëza rrëfimesh nga raportimet në veri vit pas viti gjatë Festivalit të Këngës.

“Përtej profesionit gazetaria është mision dhe përmbushja e saj ka qenë e vështirë sidomos me 16 qershor në Leposaviq kur ka ndodhur sulmi më i madh ndaj mediave dhe ndaj ekipit të RTK-së. Përmes videos është parë se çfarë ka ndodhur nga akti i sulmit”, ka thënë Venera Xhoxhaj, e cila bashkë me kamermanin ishin sulmuar nga grupet kriminale në veri.

“Një raportim maratonik mes plumbash, përballë një rreziku të madh, por lodhja është harruar kur kemi përpara një mision kaq fisnik”, ka thënë Edina Avdiu.

“Do ta veçoja datën 21 maj sepse ishte një ndër ditët më të vështira për të raportuar, kushte të këqija atmosferike, breshëri plumbash, por gjithnjë duke u munduar ta sjellim lajmin e konfirmuar dhe me fakte”, tha Arlinda Sejda.

“Për mua ka qenë një privilegj pasi babi im ka punuar mbi 40 vite në televizion dhe kam qenë e njoftuar me të gjitha rreziqet e terrenit. Për mua gazetaria është mision që përfundon bashkë me jetën. Kam bërë shumë por më mbetet merak të bëj edhe më shumë”, ka thënë Elmina Osmani.