Edhe pak çaste na ndajnë nga fillimi i mbrëmjes së dytë së Festivalit të Këngës në RTK. Prishtina dhe gjithë Kosova po rindjejnë gjallërimin kulturor, veçanërisht ekzistencën e një adrese për talentët e rinj.

Radiotelevizioni i Kosovës do të nisë transmetimin duke filluar nga ora 20:00, ku do të bëhet pritja e mysafirëve në tapet të kuq. Ndërkaq në 21:00 zyrtarisht nis programi qendror, në të cilën do të rikëndojnë 18 artistët garues, për t’u përzgjedhur 9 prej tyre për natën finale.

Përtej garës, surprizat nuk do të mungojnë as sonte. Në programin e mysafirëve e pranishme do të jetë edhe përfaqësuesja e Shqipërisë në “Eurosong”, këngëtarja Anjeza Shahini.

“Mund të them që natën e dytë e Festivalit do të ketë një mysafire speciale, është fituesja e spektaklit ‘Ethet e së premtes’ dhe pjesëmarrësja në ‘Eurosong’, Anjeza Shahini. Padyshim që do të ketë diversitet kulturor mes mysafirësh, të cilët do të vijnë me histori të ndryshme për të bërë spektakël artistik”, ka theksuar gazetarja e RTK-së, Arlinda Sejda në një lidhje të drejtpërdrejt në Lajmet e orës 19:30.

Ajo tutje ka pohuar se interesimi vazhdon të jetë në nivel edhe për natën e dytë të Festivalit të Këngës.

“Tashmë dyert e Pallatit të Rinisë, përkatësisht sallës ku do të mbahet festivali janë hapur. Shihet se sikurse natën e mbrëmshme edhe sonte do të ketë numër të lartë të publikut sepse kanë konfirmuar marrjen e ftesave”, ka thënë ajo.

Pas orës 23:00 do të nisë “Post Festivali”, ku sonte panelistët të përbërë nga kompozitori Xhevdet Gashi, këngëtarja Adelina Thaçi – Meta, dramaturgu Arian Krasniqi, disenjatorja Enkelejda Shatri, menaxheri i Filharmonisë së Kosovës Dardan Selimaj dhe solistja Adelina Paloja do të komentojnë natën e dytë.