Një vepër tronditëse dhe poetikisht e lartësuar

Një vepër tronditëse dhe poetikisht e lartësuar

Lucie Léanne, Kufiri. Roman poetik. Përktheu nga frëngjishtja, Anila Xhekaliu. Buzuku, Prishtinë 2016. Romani “Kufiri” i shkrimtares frënge, Lucie Léanne, është një vepër poetike për shumëçka e veçantë dhe e rëndësishme. Në të shkrimtarja ka dëshmuar dy cilësi: ka përftuar një tekst poetikisht të lartë (autorja e thekson këtë që në nëntitullin e veprës: roman poetik) dhe në të ka shtruar dukuri të parëndomta të botës së brendshme të njerëzve dhe të marrëdhënieve midis tyre, që syri i njeriut të

Anton Berisha 

Roman poetik i rrafshit të lartë

Qëllimi kryesor i Lucie Léanne ka qenë të përftojë një vepër poetike të rrafshit sa më të ngritur të mundshëm. Gjuhës poetike, me të cilën e përfton dhe e shtjellon tekstin, i kushton kujdes të madh. Ajo është e vetëdijshme se vetëm arti i madh e bën një vepër letrare të madhe dhe të qenësishme. Pra, gjithë përkushtimi i saj përqendrohet si t’i shprehë dukuritë, si ta shtjellojë tekstin që të jetë sa më poetik dhe i pasur dhe si e tillë të ndikojë sa më thellësisht në marrësin, lexuesin. Ky përcaktim nuk përligjet vetëm me gjuhën poetike, me tablotë që i krijon, me gërshetimin dhe funksionalizimin e tyre, me ballafaqimin dhe kundërvënien, me vijimësinë dhe lartësinë që e cilëson rrëfimin e saj nga fillimi në fund, po edhe me përbërësit e tjerë poetikë, që njësohen natyrshëm në rrëfimin e saj.
Lucie Léanne e gjurmon dhe e përfton shprehjen gjuhësore me kujdes të skajshëm, kuptimisht sa më të pasur e të nyjëtuar. Asaj nuk i intereson kumti i thjeshtë i rëndomtë, teksti që ka vetëm një kuptim. Përkundër, përfton atë strukturë tekstore që ofron shumësi të pafund kuptimesh. Me një fjalë, Lucie Léanne gjakon që gjithçka të thotë përmes gjuhës poetike, përmes të folurit të saj poetik. Kjo strategji përligjet që në fjalinë e parë, ku përdoret akullnaja, simbolika e së cilës do të degëzohet e do të pasurohet në vijim, kur shpreh gjendjen shpirtërore të personazheve, sidomos të personazhit kryesor, Milenës.

Në roman rrëfimi ngrihet mbi parimin e shikimit në pasqyrë, ku gjërat vijnë e shfaqen në përmasën e tyre të dyfishtë e të trefishtë; po mund të jenë edhe të tjera, krejt të ndryshme, varësisht se si ato perceptohen nga lexuesi, si ai komunikon me to. Në vepër asgjë nuk synohet të saktësohet, të sillet në një variant. Lucie Léanne është autore me energji poetike rrëfyese të jashtëzakonshme; ajo nuk përsëritet në përftimin e tablove dhe në përshkrimet e pasura dhe origjinale. Tablotë shpesh janë të parëndomta, po përherë poetikisht të arsyeshme e të larta. Me këtë parëndomësi ato i japin prozës së saj një vlerë të qenësishme, mund të thuhet, të papërsëritshme. Përmes rrëfimit të menduar e të natyrshëm autorja synon të ndriçojë se si njerëzit vriten dhe pësojnë (nga fati i keq dhe nga dhuna e jetës) në forma të ndryshme. Pra, rrëfimi poetik i bën të mundur të shqiptojë në mënyrë komplekse një realitet të rëndë. Pikërisht në rrethana të tilla shpalohet dhe depërtohet në thellësitë e botës së njerëzve e të marrëdhënieve të tyre; e keqja që njeriu ka brenda vetes dhe të cilën e shpreh në forma të ndryshme ndaj tjetrit, edhe në një realitet të tillë siç është ai i spitalit të të sëmurëve mendërisht, ku është përqendruar rrëfimi, ngjarja.

Në qenësinë e vet teksti i romanit “Kufiri” është në të vërtetë poezi dhe me një thyerje tjetër teknike lexohet mirëfilli si e tillë. Mund të sjell një varg shembujsh konkretizues, po për shkak të natyrës së punimit, po sjell vetëm një:

Koha lëkundet e përmbyset.
Befas dhoma fillon të lëvizë –
nga dyshemeja dalin kërcëllima të pështira –
mandej me rrapëllimë ajo largohet,
zbret lumin e kujtesës sime...
Një natë vere. Mijëra yje ndriçojnë qiellin.
Do thoshe gonxhe të sedefta të vëna mbi mëndafsh.
I këqyr, e mrekulluar.
Sipër meje, shtrihet një botë magjike,
Plot mistere për t’i shkopsitur.
Me të gjitha forcat hidhem,
Rrekem të kap një yll. (Kreu 1, f. 17)

Në rrëfimin e Lucie Léanne njerëzit shqiptohen me mëdyshjet dhe trazimet e tyre shpirtërore të vijueshme e të shumta; herë janë frymorë të rëndomtë, herë të marrë, herë vetëm hije; njerëz që gjakojnë ta mohojnë realitetin ku jetojnë, që për ta është ngulfues, mbytës.


 

Realiteti i rëndë jetësor i shqiptuar përmes artit

Në romanin e vet Lucie Léanne rrëfen për një realitet skajshmërisht tronditës: për të sëmurët në spitalin psikiatrik dhe për pësimet e tyre shpirtërore dhe fizike. Mirëpo, kjo nuk është kryesorja: janë një varg veprash letrare që shqiptojnë realitete të rënda e tronditëse, qoftë të ngjashme (kujto Pavijonin e kancerozëve të Solzhenicinit) ose të luftërave e të pasojave të tyre të pafund. Ajo që është e qenësishme në këtë vepër përligjet në qasjen dhe mënyrën se si autorja e shpreh këtë realitet; si depërton dhe gërmon në të parëndomtën që ngjet në shpirtin e personazheve po dhe në marrëdhëniet mes të sëmurëve, infermiereve dhe mjekut (psikiatrit). Të brishtë dhe të çmendur, personazhet e romanit pësojnë dhe përbuzen, për të mos thënë se nuk çmohen si njerëz, nga ata që do të duhej të kujdeseshin për ta dhe t’u ofronin ndihmën e nevojshme dhe si ata e përjetojnë gjithë këtë tragjikë.


Pikërisht në një realitet të tillë, në vuajtje dhe në dhembje, ngjajnë dhe shqiptohen dukuritë më të fshehta dhe më të parëndomta të njeriut si qenie. Nga një anë kemi të sëmurët, që jetojnë në “akullnajën” e shqetësimit dhe të dhembjes, ku njerëzit kanë zëre në kokë të mprehta si brisqe rroje, ose kanë stuhi në kokë, ose bishat vrapojnë në kokat e tyre, dhe nga ana tjetër njerëzit që kujdesën për këta të sëmurë, po që i kanë humbur një varg cilësish njerëzore, për të mos thënë se kanë marrë “sëmundjen” e pacientëve të tyre.
Të sëmurët e spitalit, ndihen të burgosur, edhe brenda mureve të spitalit, edhe brenda vuajtjeve dhe botës së tyre të trazuar e pa të ardhme. Ata jetojnë midis zhgjëndrrës dhe ëndrrës; janë ëndërrimtarë në errësirën jetësore dhe shpirtërore. Jeta e tyre është e “trallisur nga qetësuesit”. Kjo thuhet qartazi në tekstin e romanit: “a nuk është një rënie e përjetshme”, ku gjithçka varet nga psikiatri; ai “ka të drejtën e jetës dhe të vdekjes mbi këto qenie”. Ky realitet mbytës përligjet mirëfilli dhe nga fjalët e kryepersonazhit, Milenës: “Nuk dua ta shoh më botën këtu, dhomën mortore ku struket çmenduria ime. Nuk dua të shoh më asnjeri. Le te m’i nxjerrin sytë për të shndritur më në fund errësirën time”(Kreu 1, f. 18).

Të sëmurët mendërisht ndihen të ngujuar: “një burg me shufra imagjinare, të ngulura në kafkën tënde që vetëm shpresa mund t’i përkulë...”; pësojnë nga sjelljet e egra të personave që punojnë aty. Së këndejmi, u mbetet ta ëndërrojnë jetën e lirë, të jenë të vetvetes e të ndershëm: “Poshtërimi më i lartë (është) t’i heqësh një qenie njerëzore çka i ka mbetur nga dinjiteti” (f. 14). Për këtë gjë të sëmurët ulërijnë, kërkojnë të dalin nga ai ferr shpirtëror dhe fizik; i japin shfrim imagjinatës dhe e projektojnë të tanishmen dhe të ardhmen e tyre jashtë atij vendi dhe atij kalvari. Këtë më së miri e dëshmon personazhi kryesor, Milena, një grua që e ndien më shumë shtypjen dhe dhunën e një mjedisi të tillë: mungesën e lirisë, po dhe mungesën e dinjitetit njerëzor. Shkrimtarja e bën personazhin kryesor, Milenën (po dhe të tjerët) që të zbresë në fund të vetvetes jo vetëm për të zbuluar çështjet më të imëta e më të fshehta, po dhe për të ndriçuar karakterin e saj e të njeriut në përgjithësi: mospajtimin me atë gjendje dhe për të ndërmarrë diçka të dilet nga ajo gjendje, e vetëdijshme se mund të ballafaqohet me pësime shumë të rënda. Falë aftësisë së saj, Milena, me një plan të menduar mirë dhe me ndihmën e një të sëmuri tjetër, Zherarit, ia del të ikë nga spitali për të jetuar lirisht. Po dhe sikur të mos ia kishte dalë, veprimi, përpjekja që bën, do ta arsyetonin flijimin e saj (siç ngjet edhe në Epin e Gilgameshit, ku personazhi kryesor, Gilgameshi, flijohet duke e kërkuar pavdekësinë, edhe pse nuk e gjen).

Edhe koha në spitalin psikiatrik nuk e ka rrjedhën e rëndomtë, edhe ajo është e ngjizur me gjithë atë që ngjet në jetën dhe me botën e brendshme të të sëmurëve: është e gurëzuar dhe e përmbysur: “Koha ka ndaluar me futjen në spital një ditë nëntori” (f. 14).
Autorja ka dëshmuar mjeshtëri të madhe në njësimin e rrëfimit poetik të ngritur dhe të shqiptimit të objektit poetik për shumëçka të veçantë dhe tronditës.

Në fund mund të them se me vlerat e mëdha poetike që e cilësojnë romanin e Lucie Léanne “Kufiri”, ai radhitet ndër veprat më të rëndësishme të prozës moderne evropiane që e kam lexuar./kultplus