Adrian Civici: Informaliteti çon në një ekonomi të sëmurë

Adrian Civici: Informaliteti çon në një ekonomi të sëmurë

Ky manifestim ishte i nevojshëm dhe i domosdoshëm, pasi informaliteti çon në një ekonomi të sëmurë dhe ka ardhur koha ta luftojmë këtë sëmundje, nëse duam rritje ekonomike, zhvillim të qëndrueshëm nuk mund ta arrijmë me kaq shumë xhepa informalë.

Kur një ekonomi është e sëmurë, askush nuk përfiton, por të gjithë humbim. Kush më pak e kush më shumë! Nëse një vend si Shqipëria, me një përqindje informaliteti 35-45 për qind në ekonomi klasifikohet nga vendet më problematike të botës, kuptohet qartë se çfarë investimesh mund të presë, çfarë planesh biznesi të suksesshëm mund të bëjë si kapitali dhe sipërmarrja mund të zhvillohet, si bankat mund të jenë të sigurta me bilancet që paraqesin ata që kërkojnë kredi dhe si shumë njerëz të varfër dhe jo të varfër që duan të përfitojnë nga politikat sociale mund të kenë shpresë se ne shërbim të tyre do të ketë ato fonde, ato politika që duhet. Sigurisht që kjo prek probleme të natyrës sociale dhe në vështrim të parë duket sikur ky informalitet i zgjidh, por në të vërtetë është një dëm i madh për financat dhe ekonominë e vendit.

Ne jemi të ndjeshëm ndaj biznesit të vogël dhe jemi për krijimin e politikave të veçanta për të, por ky fenomen i dëmshëm që sëmur ekonominë. Me këto shifra të mëdha informaliteti, ku gjysma e ekonomisë është e padeklaruar nuk tërhiqen as investimet e huaja, nuk ka as financime të mëdha bankare, madje edhe statistikat nuk janë të sakta pasi mungojnë të dhënat për gjysmën e ekonomisë. Kur vjen puna te informaliteti nuk ka vend për dallim “biznes i madh, biznes i vogël”. Por nuk mjaftojnë vetëm politikat e qeverisë, të shtetit për ta luftuar.

Sepse pa aktorët vetë, pa biznesin nuk ka sukses. Ne, si Universitet Europian i Tiranës , që si devizë ka “Universiteti i Biznesit” studentëve tanë u kalojmë njohuritë e funksionimit të ekonomisë, i edukojmë ata me metodat e një ekonomie formale dhe eficiente, si edhe i informojmë për dëmet e mëdha që shkakton informaliteti. Ky manifestim është më uniku në llojin e vet në 27 vjet demokraci në vend, pasi jo vetëm shoqëria civile, por edhe vetë biznesi që deri më sot është dukur sikur ka qenë zë kundër politikave të qeverisë e ka kuptuar se pa transparencë nuk mund të arrijë zhvillimin, nuk mund të jetë eficient e as të ketë bashkëpunime me biznese ndërkombëtare.