Thaçi: S’ka ndarje, as shkëmbim territoresh, por korrigjim të kufijve

Thaçi: S’ka ndarje, as shkëmbim territoresh, por korrigjim të kufijve

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi edhe njëherë ka deklaruar se nuk do të ketë ndarje të Kosovës, por sipas tij as shkëmbim të territoreve. Por, ai ka sulmuar të gjithë kundërshtarët politik të cilët janë deklaruar kundër korrigjimit të kufirit, duke , thënë se “kundërshtuesit e këtij propozimi, propagandojnë për ndarje dhe shkëmbim të territoreve.  

Postimi i Plotë i presidentit Thaçi:

Një mesazh për ata që mendojnë se korrigjimi i kufijve në mënyrë paqësore është ide e keqe, përkundër faktit se e dinë që është mundësia e vetme që Presheva, Bujanoci dhe Medvegja t’i bashkohen Kosovës.

Që të jem i qartë: Unë e kam hedhur poshtë me kohë opsionin e ndarjes dhe të shkëmbimit të territoreve. Unë jam duke folur vetëm për korrigjim të kufirit në mënyrë paqësore, dhe atë, në favor të Kosovës. Ndërsa, kundërshtuesit e këtij propozimi, propagandojnë për ndarje dhe shkëmbim të territoreve.

Në një situatë të tillë, vërtetë që nuk mbetet rrugë tjetër përveç fuqizimit të vendimmarrjes së qytetarëve të Republikës së Kosovës, duke iu mundësuar atyre për të vendosur vetë se kush ka të drejtë dhe se cili opsion është në interes të Kosovës. Prandaj, është e domosdoshme që t’iu mundësojmë qytetarëve tanë të drejtën e referendumit, gjë që për të cilën jam duke punuar që të bëhet realitet.