VIDEO: Njohja e Ipeshkvisë së Kosovës nga Vatikani, lajm i rëndësishëm

VIDEO: Njohja e Ipeshkvisë së Kosovës nga Vatikani, lajm i rëndësishëm

Njohja e Ipeshkvisë së Kosovës nga Vatikani, e emërimi i saj nga administratura në Ipeshkvi dy ditë më parë, po cilësohet si lajm shumë i rëndësishëm për Kosovën.

Madje, kjo njohje e Ipeshkvisë nga Vatikani po cilësohet edhe si një hap më afër njohjes së Kosovës nga ai shtet.  

“Besoj se duhet ta marrim si një indikacion shumë të rëndësishëm të normalizimit të marëdhënieve mes dy shteteve”, tha  Don Fatmir Koliqi, zëdhënës i Ipeshkvisë së Kosovës

 “ Edhe Kosova edhe diplomacia e Kosovës duhet ti sheh këto gjeste dashurie dhe mirënjohje të papës si një afërsi rreth asaj që ne e duam, që është njohja e Kosovës nga Vatikani”, ka shtuar Don Fatmir Koliqi.

Edhe sipas qeveritarëve, tashmë mes Kosovës e Vatikanit ekzistojnë bashkëpunime e raporte të mira të cilat po forcohen çdo ditë.

Sipas zv. Ministrit të punëve të jashtme, Anton Berisha, që është edhe i ngarkuar me marrëdhëniet me Vatikanin, Kosova ka nënshkruar tashmë dy marrëveshje mirëkuptimi të cilat pritet të realizohen shumë shpejt dhe se, sipas tij, vizita e fundit e kryeministrit Haradinaj në Vatikan ka ndikuar shumë në marrëdhëniet mes dy vendeve.

 “Këto janë indikacione të bashkëpunimit shtetëror mes nesh dhe tyre dhe hap pas hapi si proces I natyrshëm duhet të vije edhe ajo”, tha Berisha

 Sipas tij, çështja e njohjes nga Vatikani kërkon përfshirje shumëpalëshe.

 “Ne hap pas hapi dhe me hapa konkret jemi duke krijuar relacione dhe pastaj në një dimenzion politik që nuk është vetëm dy palësh por shumë palësh njohja e Kosovës besojmë që do të vijnë ditë më të mira”, shtoi Berisha.

 Ipeshkvia e Kosovës deri më tash nga Vatikani është njohur vetëm si administraturë apostolike, ndërkaq me vendim të Papa Françeskut, është emëruar Ipeshkvia e Prizrenit me emrin Prizren-Prishtinë.

Ndërsa njohja e Kosovës si shtet nga Vatikani do t’i hapte rrugë Kosovës edhe për njohje nga shumë shtete të tjera.

Autor: Artiana Matoshi