"Loro Boriçi", shtëpia e përkohshme e Kosovës

"Loro Boriçi", shtëpia e përkohshme e Kosovës

Kosova do të nisë për herë të parë një edicion kualifikues si anëtare me të drejta të plota në UEFA dhe FIFA dhe stadiumi pritës i këtij ekipi do të jetë “Loro Boriçi” në Shkodër.

Diçka e tillë është bërë me dije nga zyrtarë të lartë të institucionit të futbollit në Federatën e Futbollit të Kosovës.

Ka qenë sekretari i përgjithshëm i institucionit të futbollit në Kosovë që ka bërë me dije se ku do t’i zhvillojë ndeshjet e saj si pritëse Kosova. Eroll Salihu, me nisjen e punimeve në stadiumin kombëtar të Prishtinës, ka deklaruar se një nga stadiumet shqiptare do të shërbejë si shtëpia pritëse për ndeshjet e përfaqësueses së Kosovës. “Kosova do t’i luajë ndeshjet si vendase në një prej stadiumeve në Shqipëri derisa të kryhen punimet në stadiumin e qytetit të Prishtinës. Ndeshjen e parë me Kroacinë do të luajmë më gjashtë tetor në Shkodër”, tha Salihu për “Tribuna Channel”.

Kujtojmë se Kosova, eliminatoret e Botërorit “Rusi 2018” i fillon në transfertë përballë Kombëtares së Finlandës. Takimi mes Kosovës dhe Kroacisë do të zhvillohet më 6 tetor në stadiumin “Loro Boriçi”, i cili është në ditët e fundit të zhvillimit të punimeve, ku pritet edhe inaugurimi i tij.