Osmani: Nuk lejojmë Asociacion që defunksionalizon shtetin
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në një intervistë ekskluzive për RTK-në, është shprehur e vendosur se institucionet e vendit nuk do të lejojnë krijimin e një Asociacioni që rrezikon funksionalizimin e shtetit.
Ajo ka thënë se kur është fjala për Asociacionin me komuna me shumicë serbe e ka të njëjtin qëndrim që e ka pasur edhe në vitin 2013, kur ka votuar kundër asaj marrëveshje në Bruksel.
“Asociacioni ashtu siç është paraparë në marrëveshjen e Brukselit ka qenë ndër dokumentet më të dëmshme sa i përket sovranitetit dhe funksionalitetit të brendshëm të Kosovës. Por, ishte mirë që Gjykata Kushtetuese e ndalojë si të tillë, por dëmi akoma vazhdon sepse në disa raste ka ende njerëz në BE që kërkojnë që ajo të aplikohet ashtu siç është nënshkruar në Bruksel. Sidoqoftë jemi me fat që pas takimeve të shumta, SHBA-të e kanë thënë qartë se nuk do ta përkrahin asnjë Republika Srbska, asnjë pushtet të ndërmjetmë dhe as kompetenca ekzekutive. Kjo është ndër zhvillimet me të rëndësishme sa i përket asociacionit. Nuk mund të ketë asnjë model që na shpie drejt bosnjëzimit të Kosovës, asnjë model që i jep kompetenca ekzekutive dhe e krijon asociacionin si një pushtet të tretë dhe asnjë model që e defunksionalizon Kosovën sepse tek e fundit neve nuk na duhet ulësja në OKB nëse jemi shtet totalisht i dështuar përbrenda, shtet i cili nuk funksionon dhe shtet në të cilin gjithmonë një rajon do të dëshiron të shkëputet”, ka theksuar presidentja Osmani në intervistën për RTK.
Ajo tutje ka thënë se as Pako e Ahtisarit askund nuk thotë që komunat me shumicë serbe mund të bëhen bashkë për të krijuar një pushtet të tretë, i cili krijon jofunksionalitet, i cili merr sovranitet nga niveli nacional e i cili nesër pasnesër mund të shndërrohet në Republika Srbska. Sipas saj nëse shikohet pak historia e dekadave të fundit del se kështu është krijuar edhe Republika Srbska, e cila e defunksionalizon totalisht Bosnjën e Hercegovinën.
Presidentja Osmani ka thënë se as modeli i Belgjikës nuk është diskutuar kurrë dhe si i tillë nuk pranohet dhe as nuk është diskutuar e nuk do të diskutohet për ndonjë autonomi për serbët e veriut. "Asociacioni është prelud i ndarjes dhe po përdoret për ta defunksionalizuar Kosovën", ka shtuar Osmani.
Ajo ka pranuar se ka një intensifikim për dialogun Kosove-Serbi, referuar vizitave të fundit të emisarëve evropian e amerikan. Duke folur për takimin me Gabriel Escobar, ajo ka thënë se ai ka qenë takim bilateral, në të cilin është diskutuar për dialogun dhe për marrëdheniet mes Kosovës dhe SHBA-së. Presidentja ka mohuar se në atë takim është folur për ndonjë listë të zezë amerikane për sanksione ndaj personaliteteve politike në Kosovë.